Deputetet e Partisë Demokratike Albana Vokshi dhe Ina Zhupa, kanë dorëzuar në Kuvend projektrezolutë për mbrojtjen nga çdo lloj dhune të gazetarëve.
Deputetja Zhupa thotë se kryesisht pre e dhunës në forma të ndryshme, janë gratë gazetare. Ajo thotë se janë konstatuar rreth 30 raste ku gazetarët janë dhunuar verbalisht apo fizikisht.
Ina Zhupa, deputete e PD: Nga 1 Janari 2023- 1 Maj 2024 janë shënuar 30 sulme ndaj gazetarëve ku sulmet ndaj gazetareve zonja janë të një natyre seksiste. I bëjmë thirrje Lindita Nikollës ta kalojë me prioritet dhe të mos ta lejë siç ka zakonë të lejë projektrezolutat e opozitës në harresë dhe pa i futur në kalendarin zyrtar.
Teksa kërkon që Kuvendi të miratojë rezolutën e demokratëve dhe të zhvillojë një mocion me debat për këtë çështje, Albana Vokshi bën fajtore qeverinë për cënimin e punës së gazetarëve.
Albana Vokshi, deputete e PD: Është një qeveri e mbyllur që nuk jep llogari, që dhunon gazetarët dhe ju mohon qytetarëve të drejtën e informimit dhe ku e ka burimin? E ka te blerja e votës.
PD akuzon qeverinë “Rama” po ndikon në përkeqësimin e lirisë medias në vend.
Klan News