Inter Miami i ka qartësuar idetë sa i përket trajnerit të ri. Vendin e Tata Martinos do ta marrë tekniku i Argjentinës U20, Javier Mascherano.

Sipas mediave argjentinase akordi është arritur dhe legjenda e Barcelonës do të marrë drejtimin e klubit nga Florida jugore, duke nënshkruar një kontratë afatgjatë. Maskerano drejtoi Argjentinën në Lojërat Olimpike të Parisit 2024 deri në çerekfinale ku u eliminua nga Franca.

Në Spanjë u raportua se një ndër kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e klubit nga MLS ishte trajneri i kuqezinjve Silvinjo, por braziliani do të vazhdojë punën e tij te Shqipëria, pas paraqitjes në Ligën e Kombeve, ku kombëtarja zbriti në Ligën C. Kontrata 50 vjeçarit i përfundon në dhjetorin e 2025-ës.

Në skuadrën amerikane luajnë katër futbollistë që më herët kanë qenë pjesë e Barcelonës, Jordi Alba, Sergio Busquets, Luis Suarez dhe Lionel Messi. Ndikimi i këtij të fundit për të afruar në stol trajnerë që në të kaluarën kanë qenë pjesë e Barçës është i madh.

Mascherano luajti 414 ndeshje me Messin për klubin dhe kombëtaren. Ai fitoi pesë tituj të La Liga-s dhe dy Liga Kampionesh me blaugranat.

Klan News