Republikanët do të hyjnë në shtator në Komisionin për Reformën Zgjedhore, por pjesëmarrja e tyre do të varet edhe nga disa kushte që Partia Demokratike duhet t’i marrë parasysh si aleatja kryesore. Sipas sekretarit të përgjithshëm të Partisë Republikane Aleksandër Garuli, nëse Partia Demokratike nuk do të pranojë të mbështesë interesat e republikanëve, atëherë dy partitë e mëdha do të ndërpresin bashkëpunimin midis tyre.

Aleksandër Garuli: “Kur të rifillojë punimet komisioni, them që Partia Republikane në shtator do të jetë pjesë e këtij komisioni. Paraprakisht PD-ja të pranojë kushtet e aleatëve të saj dhe të mbrojë të drejtat e tyre që rrjedhin nga kodi zgjedhor. Dhe e para është ajo që sapo thashë, e drejta e PR-së për të pasur komisionerë. E dyta, mënyra e ndarjse së financimit të subjekteve politike që duke qenë dy bashkëkryetarët e kanë marrë pjesën e luanit, pra është një paragjykim mbi zgjedhjet. Nëse PD-ja nga negociatat jozyrtare, që kemi filluar të bëjmë, nuk do të mbështesë PR-në në këtë kërkesë drejt saj, ne e shohim të panevojshme pjesëmarrjen në këtë komision dhe ndoshta deri në rishikimin e raporteve me PD-në.”

Ndërsa bashkëkryetari i Partisë Demokratike i Komisionit të Posaçëm Zgjedhor Jemin Gjana shprehet se partitë e tjera parlamentare të djathta janë të mirëpritura dhe të shprehin variantin e tyre për ndryshimet në kodin zgjedhor.

Jemin Gjana: “Unë kam mbajtur kontaktet me ata dhe herë pas here, thonë që po presin momentin e përshtatshëm për të ardhur në komision. Unë besoj që do të vijnë. Interesat e tyre janë ata që i mbrojnë. Nuk e di se për ç’interesa do të vijnë. Interesi më madhor është të ndërtojmë një kod elektoral në përputhje me standardet dhe t’i sjellim përmirësimet në përputhje me standardet. Por unë besoj që ata duhet të jenë brenda komisionit që të mund të mbrojnë dhe ata ato çështje të tyre, që ata i konsiderojnë interesa partiake.”

Deri tani komisioni ka zhvilluar vetëm një mbledhje ku, përveç dy forcave të mëdha PS-PD, kanë marrë pjesë edhe reformatorët. /tvklan.al