Lajme Arkiva 2003
Reshjet e shumta krijojnë situatë kritike në prefekturën e Pukës dhe të Shkodrës ku dëmet janë më të shumta.
Në rrethet e Pukës është krijuar situata më serioze në bllokim të disa akseve rrugore të rëndësishme si pasojë e rrëshqitjes së dherave dhe të shembjes së mureve mbajtës.
Sipas informacioneve të marra nga nënprefekti i këtij rrethi, rezulton se akset rrugore Fushë Arrëz-Qafë Mali, Fushë Arrëz- Qafë Qelë, janë rivënë në funksionim vetëm në një drejtim.
Dëmtime serioze ka pasur në zonën e quajtur kthesat e Komsiqes ku janë shembur muret mbajtës përgjatë rrugës. Në rrugën Fushë Arrëz- Mirditë vazhdon puna për zhbllokimin e saj.
Problem paraqesin rrugët normale në këtë rreth ku 209 kilometra linear të tyre janë të bllokuara. Në disa komuna mungon energjia elektrike si pasojë e rrëzimit të disa shtyllave të tensionit të lartë, ka dëmtime në disa ujësjellës, por nuk ka ndërprerje të furnizimit me ujë.
Komunikimi telefonik është ndërprerë në pjesën më të madhe të rrethit. Një situatë e vështirë është krijuar gjithashtu në komunat Hajmel dhe Mnelë-Vig në rrethin e Shkodrës.
Në Hajmel banesat e rreth 110 familjeve rezultojnë të dëmtuara ndërkohë që banesat e tre prej tyreve janë plotësisht jashtë përdorimit dhe njerëzit janë strehuar nëpër çadra.
Ka gjithashtu një urë të shembur po në këtë vend. Në fshatin nën Sharrë të kësaj komune rezultojnë të dëmtuara banesat e 32 familjeve si edhe 100 metra linear të linjës hekurudhorë gjë e cila ka sjellë bllokimin e kësaj të fundit.
Serioze paraqitet situata në komunën Mnelë-Vig ku banesat e 130 familjeve janë përmbytur nga ujërat e lumit Gjadër të dalë nga shtrati si rezultat i reshjeve të shiut. Kjo zonë gjendet e izoluar plotësisht pasi rrugët janë praktikisht të përmbytura, ndërkohë që mungon gjithashtu edhe energjia elektrike.
Në rrethin e Kukësit nga rrëshqitja e dherave janë bllokuar rrugët në komunat Zapot, Shishtavec dhe Tropojan, për hapjen e tyre po punojnë forcat e ushtrisë, mjetet që disponon qarku po punojnë për hapjen e rrugës nacionale Kukës- Tiranë, e cila është bllokuar në zonën e Shën Mërisë.
Në komunën Fushë Kuq në kufij të rretheve Lezhë dhe Kurbin janë evakuuar 3 familje me banim fare pran lumit dhe janë shpëtuar disa banorë të bllokuar nga ujërat.
Ndërkohë në Durrës tragetet kanë vonuar nisjen për më shumë se dy orë, ndërsa një pjesë e qytetit ka qenë pa drita. Kapitaneria e portit ka urdhëruar që mjetet e vogla lundruese të mos lëvizin.
Të vetmet dëme materiale janë prishja e posterave për kandidatë bashkie, puna për rivënien e të cilave ka nisur që herët në mëngjes./tvklan.al