Lajme Arkiva 2003
Për herë të parë ish Presidenti i Republikës Rexhep Meidani, deklaroi publikisht kandidimin e tij për kryetar në Kongresin e Partisë Socialiste. “Vendosa të kandidoj për shkak të zhvillimeve jo pozitive brenda Partisë Socialiste. Jam në gjendje të bashkoj partinë, por dua kushte të barabarta konkurrimi” çfarë sipas Meidanit është cënuar me vendimin e djeshëm të kryesisë.
Rexhep Meidani: Mund ta kryejë këtë detyrë, e kam dëshmuar se mund ta kryejë këtë detyrë, por natyrisht kërkoj që hapësirat e barazisë në kandidim, të jenë hapësira normale. Rregullat e konkurrimit të miratuar në këtë mbledhje kryesie bien ndesh me parimin e barazisë dhe të konkurrencës së lirë të PS-së dhe eliminojnë përfundimisht të drejtën e konkurrimit brenda partisë të kandidatëve të tjerë duke përjetësuar udhëheqjen e një kryetari dhe vetëm të tij.
Ish presidenti i republikës shpreson se mbledhja e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues nuk do të lejojë shtetëzimin e partisë nga kryetari.
Rexhep Meidani: Por në përputhje me vendimet e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues natyrisht që do bëj studimin e situatës dhe do përcaktojë hapat e mëtejshëm.
I pyetur se cilat ishin avantazhet e tij ndaj kryetarit aktual Fatos Nano, Mediani u shpreh “kam moral”, duke nënkuptuar të kundërtën për kryeministrin Nano.
Rexhep Meidani: Ajo që ofroj dhe është tepër e rëndësishme, pa atakuar asnjë kandidaturë tjetër alternative është morali im.
Në deklaratën për shtyp ish Presidenti i Republikës, u shpreh i zhgënjyer edhe nga ndryshimi i statutit për të çregjistruar nga Partia Socialiste dhe grupi parlamentarë të gjithë ata që votojnë kundër vendimeve të organeve të larta të partisë./tvklan.al