Shqiptarët do të mund të njihen në kohë reale me numërimin e votave, përmes një projekti të agjencisë ECA dhe KRIK Albania. Projekti është prezantuar nga drejtori ekzekutiv i Agjencisë për Administrimin e Zgjedhjeve, ish-kryetar i KQZ-së, Ilirian Celibashi. Ai sqaroi se ky projekt ka synim të përcjell informacione në kohë reale mbi numërimin e votave dhe bërjen sa më transparente të këtij procesi gjatë ditës së votimit.
Ilirian Celibashi: “Në secilën prej këtyre VNV-ve do të akreditohen 6 vëzhgues të cilët do të ndjekin të gjithë procesin e numërimit të fletëve të numërimit. Do të jenë 2 vëzhgues për çdo turn dhe një turn do të punoj rreth 8 orë dhe këta do të zëvendësohen nga grupi tjetër dhe pastaj kështu me radhë. Secili prej grupit të vëzhgimit do të jetë i pajisur me një aparat të tillë, i cili është fjala e fundit e teknologjisë së informacionit, i cili bën marrjen e të dhënave, hedhjen e të dhënave dhe transmetimin e këtyre të dhënave në kohë reale në qendrën e përpunimit të tyre që do të ngrihet këtu pranë hotel Tiranës”.
Celibashi tha, se ky projekt nuk mbivendos KQZ-në dhe asnjë institucion tjetër përgjegjës për nxjerrjen e rezultateve të zgjedhjeve. Për realizimin e këtij projekti janë rekrutuar 450 vëzhgues të cilët do të vendosen në 66 qendra të numërimit të votave më 28 qershor. Publiku do të ketë mundësinë të informohet në mënyrë të vazhdueshme mbi votat e marra nga secili subjekt, në secilin qark, numrat e mandateve të fituara nga secila parti ose koalicion si dhe emrat e kandidateve fitues./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani