Ligji i ri zgjedhor favorizon koalicionet mes partive politike. Ilirian Celibashi ish-kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve jep këtë logjikë, nisur dhe nga rezultatet zgjedhore të partive në disa prej përballjeve elektorale të tyre, jo vetëm të përgjithshme, por edhe lokale. Konkurrimi i vetëm i dy partive të mëdha do të ishte një risk që mund të mos ofronte në mënyrë përfundimtare mundësinë për të qeverisur vetëm.

Ilirian Celibashi: “Gjykuar në mënyrë empirike vetëm nga rezultati që ato kanë pasur në zgjedhjet e shkuara, qoftë në zgjedhje të organit të qeverisjes vendore, qoftë në zgjedhje për kuvendin. Asnjëra prej këtyre partive nuk ka marrë një numër të tillë votash që të krijojë mundësinë, vota popullore po flasim jo mandate në kuvend, që t’u japi mundësinë atyre që të qeverisin të vetme. Sistemi zgjedhor aktual avantazhon ato grupime politike, të cilat përfshijnë disa parti politike, pra avantazhon koalicionet e partive politike.”

Por sipas Celibashit, koalicionet parazgjedhore janë një taktikë më e mirë elektorale sesa ato pas zgjedhore.

Ilirian Celibashi: “Është e sigurt të paktën në pikëpamje teorike që koalicionet parazgjedhore krijojnë shanse më të mëdha për një rezultat elektoral më të mirë të këtij koalicioni.”

Eksperti për çështje të ligjit zgjedhor thotë se sistemi i ri i lejon partive politike të shfrytëzojnë taktika elektorale të njohura edhe në praktikën ndërkombëtare, që sipas tij, nuk kanë të bëjnë me të ashtuquajturin fenomen i Dushkut, një prodhim më shuam shqiptar./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi

Operator: Klodian Keçi