Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka prezantuar para komisionit parlamentar te ekonomisë planin për rishikimin e buxhetit për vitin 2009.
Kreu i financave tha se rialokimet ne këtë buxhet synojnë qëndrueshmërinë fiskale dhe vijueshmërinë e investimeve publike, duke e rritur vëllimin e këtyre te fundit me rreth 10 miliardë leke.
Ridvan Bode: “Ne synojmë që të rialokojmë rreth 8 miliard fonde nga investimet publike dhe rreth 1.3 miliard nga shpenzimet operative si fonde që nuk mund të përdoren gjatë vitit për shkak se prokurimet nuk janë përfunduar deri në këtë moment dhe ky rialokim do të kalojë për të mbështetur objektet e mëdha të investimeve infrastrukturore të rrugëve nacionale. Ne rrisim në vlerë absolute investimet dhe shpenzimet kapitale me rreth 10 miliard lekë.”
Sipas ministrit Bode, rishikimi i buxhetit është një garanci me shume për te mbajtur në parametra te kënaqshëm borxhin publik dhe deficitin buxhetor.
Ridvan Bode: “Ne mendojmë që ky buxhet do të mundësojë përdorimin eficent të të gjitha burimeve që ne disponojmë, rishikim të vëllimit të deficitit buxhetor që lidhet me huamarrjen e brendshme duke zbritur nga 4.2 nën nivelin 3.8-3.9% të GDP-së duke dhënë një kontribut të ri në stabilizimin e sferës financiare”.
Ne këtë seance te pare te komisionit kuvendor te ekonomisë dhe të financave munguan deputetet e opozitës./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro