16 komuna dhe bashki në qarkun e Dibrës kanë përfituar financime për 18 projekte për rrugë, asfaltime kanalizime dhe ujësjellësa me një vlerë prej 3.5 milionë eurosh të akorduara këto nga qeveria e Mbretërisë së Holandës nëpërmjet Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri.
Kanë përfituar më shumë Bashkia e Klosit, Bashkia e Peshkopisë, Komuna e Maqellarës dhe ajo e Melanit. Në ceremoninë e nënshkrimit të projekteve ka marrë pjesë Zv/Ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni.
Ferdinand Poni: “Ne siç kaluam pragun epokal të integrimit euroatlantik po kalojmë, po bëhemi gati të kalojmë pragun epokal të integrimit në Bashkimin Evropian, ku besoj që kemi mbështetës të fuqishëm dhe qeverinë e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. Ne po kalojmë, Dibra po kalon pragun epokal të integrimit harmonik me të gjithë Shqipërinë, të vendosjes atje ku e ka pasur vendin që kanë shkuar me kryeqytetin në të gjithë historinë e qytetërimit shqiptar”.
Prej rreth 1 jave në Peshkopi ka filluar procesi i aplikimit të kartave pa pagesë për kategoritë e njerëzve në nevojë.
Ferdinand Poni: “Po e krijojmë kohën e kapërcimit epokal të integrimit. Ne së bashku kemi detyrë të madhe që ky proces që i kalon dukshëm afatet sezonale ku po kryhet që ndikon në integrimin tonë dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, në harmoni të plotë me qytetarët, me shpejtësi ashtu siç është konceptuar të kryhet në standardet më të mëdha dhe t’i lejojë të gjithë shtetasve shqiptarë të kenë dokumentet e tyre të identitetit, dokumentet më të sigurt të identitetit, dokumentet që burojnë nga vetëm një regjistër civil që janë konstatuar në atë regjistër civil.”
Sipas zv/ministrit Poni të gjitha këto arritje janë bërë në bashkëpunim mes qeverisjes qendrore dhe asaj vendore.
Arritja kryesore është se projektet e deritanishme nuk kanë mbetur vetëm në letër, por janë bërë të prekshme nga qytetarët./tvklan.al
Gazetar: Erion Todhe