Pas gati 90-vitesh në aerodromin turistiko-sportiv të Gjirokastrës janë rikthyer fluturimit e avionëve. Kanë qenë 6 avionë të vegjël të ardhur nga Italia, të cilët janë ulur në aerodrom pa patur nevojë të përpunojnë dokumentacionin përkatës në Rinas. Pilotët italianë shprehen se tashmë statusi i ri i këtij aerodromi fushor është një nxitje për zhvillimin e avioturizmit.
“Mesa kemi parë ndërsa fluturojmë është një vend i mrekullueshëm, me siguri do të rikthehemi sërish dhe së bashku me ne do të jenë edhe pilotë të tjerë sepse do t’ju themi fjalët më të mira për mikpritjen e këtushme. Jam i sigurt që në këtë mënyrë do të zhvillohet avioturizmi.”
Tashmë për pilotët që kanë si destinacion Gjirokastrën si dhe jugun e vendit, në aerodrom ofrohet shërbimi doganor dhe policor, duke mundësuar fluturimin direkt nga vendet përkatëse.
Militiadhis Kocagjeridhis, Përfaqësues i Aviacionit Civil: Tashmë ne kemi çelur rrugët për zhvillimin e turizmit të ajrit në Shqipëri dhe këtu në aerodromin e Gjirokastrës, ju urojmë mirëseardhjen të gjithë pilotëve të sotëm që vijnë nga Italia dhe së shpejti presim edhe turistë të tjerë nga bota të vijnë këtu në aerodromin e Gjirokastrës.
Teodor Bilushi, Konsull Nderi i Italisë në Gjirokastër: Realizimi i një fluturimi direkt nga një vend rajonal me realizimin e doganës dhe të kontrollit doganor dhe policor në Gjirokastër do të jetë mundësia që shumë avionë turistikë të ulen pasi kërkesat janë të shumta në këtë aerodrom dhe t’i shtojmë ekonomisë së qytetit edhe një degë të re të turizmit që është avioturizmi, ose turizmi i ajrit.
Në kuadër të rijetëzimit të aerodromit të Gjirokastrës, në fundjavë u nënshkrua edhe një marrëveshje binjakëzimi me aeroportin e Sibarit, Itali.
Flamur Golemi, Kryetar i Bashkisë Gjirokastër: I kthejmë këtij poli të ri të qytetit përtej një atraksioni turistik, edhe një aktivitet ekonomik të mirëfilltë, ne kemi patur 6 avionët e parë, si dhe 20 pilotë dhe miq të tyre këtu në Gjirokastër, të cilët janë dallëndyshja e parë në fakt e këtyre aktiviteteve.
Përgjatë këtij viti në aerodromin e Gjirokastrës janë zhvilluar aktivitete të shumta duke përfshirë edhe organizimin e Kampionatit të 8-të Europian të Sporteve të Ajrit.
Tv Klan