Me çekanin e gurskalitësit ka zbukuruar prej vitesh rrugët e qytetit të gurtë. Qytetarët por edhe turistët e shumtë që zgjedhin Gjirokastrën shkelin mbi kalldrëmet që i ka punuar Selami Rondo. Ky është zanati ku ai është fokusuar dhe punon prej disa vitesh ndërsa thotë se pasioni për punën me gurë është i madh.
“Kam bërë dhe një kurs, kursi i parë që është bërë për gurgdhëndien këtu në Gjirokastër, e financuar nga një shoqatë zviceriane dhe jam prej 15 vitesh që punoj me kalldrëme.”, tha Selami Rondo.
Ndonëse ka disa vite, e kujton ende punën e parë që ka bërë në gurgdhëndje.
“Kemi punuar tek shtëpia e Kadaresë, aty kemi bërë disa punime, me elektrikun ka qenë, riparimet që janë bërë kalldrëmet, ato kanë qenë kalldrëmet e para, domethënë edhe diçka më para por po aty pothuajse që mbaj mend edhe në vazhdimësi kemi bërë pazarin.”, tha Rondo.
Atë dhe mjeshtëra të tjerë i gjejmë duke punuar në një nga segmentet që të çon te parkimi i qytetit.
“Këtu ku jemi momentalisht është diçka që bëhet nga e para, domethënë nuk janë pjesë të ngushta, por e kemi marrë gjithë atë rrugë, po i bëjmë nga e para nga filllimi, e mbaruam një segment aty, kemi këtë segmentin, do të bëjmë edhe segmentin që ngjitet për te shtëpia e pionerit dhe do dalim te parkimi.”, tha Rondo.
Shumë prej banorëve vendas kur kalojnë këtu i thonë të lumshin duart, ndërsa sipas tij më shumë interes kanë të huajt, të cilët gjatë qëndrimit në qytetin e gurtë janë kuriozë për punën.
“Të huajt janë më të interesuar kur shikojnë se çfarë pune bëjmë dhe e vlerësojnë shumë punën e kalldrëmit tonë sepse është shumë i veçantë, është unik. Nuk shikohet kjo punë që bëjmë ne këtu, nuk shikohet në ndonjë vend tjetër. Domethënë as në Shqipëri nuk bëhet sepse ky gur i kalon të 20 cm. Është i plotë, kalldrëm i plotë si i thonë, nuk është kalldrëm me 10 cm që del me llaç, dikur të vjen një moment dhe ato nga makina do shkëputen do prishen, kurse ky do jetojë për tërë jetën.”, tha Selami Rondo.
Selamiu thotë se ky zanat është drejt vdekjes dhe për këtë i vjen keq. Ai thotë se të rinjtë nuk tregojnë interes dhe kërkon ndërhyrjen e autoriteteve që të fokusohen në këtë drejtim dhe për ti nxitur ata drejt profesioneve.
“Që po rregullohen kalldrëmet mua më pëlqen shumë se është edhe zanati im po edhe e vlerësoj, por një gjë mungon këtu se nuk shikojmë të rinjtë të marrin këtë zanat. Për këtë duhet të angazhohet dikush, qoftë edhe bashkia, të hapin kurse, të stimulojnë se unë nga një kurs kam filluar fillimisht pavarësisht se unë më jepej shumë për të bërë.”, tha Rondo.
Ai tregon edhe rastin e një adoleshenti i cili e mori zanatin por nuk vendosi të vijonte më shumë me këtë punë.
“Vjet kisha një djalë. Ai e ushtroi 6 muaj, e mësoi shumë mirë zanatin dhe ishte moshë të re, 18 vjeç. E mësoi shumë mirë, dikush i foli dhe e la pastaj, iku.”, tha Selami Rondo.
Mjeshtëri i gurit thotë se do të vijojë me këtë zanat pasi kjo është një punë ideale në Gjirokastër pasi ka shumë për të restauruar.
Klan News