Shiu dhe era e fortë kanë vijuar edhe në orët e mbrëmjes në disa rajone të vendit. Këtë herë problematika më e madhe është në zonat bregdetare. Puna në portin e Vlorës është pezulluar nga kapiteneria.
Sipas Kapitenerisë së Portit të Vlorës, lundrimi do të lejohet vetëm me përmirësimin e kushteve të motit. Trageti po qëndron në radhë ndërsa mjetet e tjera janë urdhëruar të strehohen në zonën e Triportit në Zvërnec.
Me të njëjtën situatë po përballet edhe Durrësi, ku gjatë pasdites është bllokuar lëvizja e anijeve tregtare dhe të peshkimit. Autoritetet portuale kërkojnë nga të gjithë subjektet që operojnë në fushën e detarisë që të marrin masa për sigurimin e mjeteve në porte dhe të rritet shkalla e gatishmërisë së ekuipazhit në mjete.
Tragetet në Durrës janë planifikuar të udhëtojnë rreth orës 23:00. Në jug dhe juglindje, janë rikthyer reshjet e dëborës duke krijuar vështirësi në qarkullim.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar po punohet për mbajtjen hapur të rrugëve.
Moti i keq ka shkaktuar probleme, edhe sa i takon furnizimit të energjisë elektrike. Për të rithyer energjinë në zonat ku mungon, specialistët janë detyruar të punojnë dhe në kushte të vështira, si ky elektricist në zonën e Llogarasë.
Tv Klan