Nuk prodhoi fitues derbi mes Partizanit dhe Dinamos, sfidë e cila u mbyll në barazim 1-1. Dinamovitët i shkuan shumë afër fitores, por e pësuan në fund.

Itodo Mandela zhbllokoi rezultatin në minutën e 50-të, duke i dhënë avantazhin skuadrës së Dajës. Megjithatë, në minutën e 92-të, Bintsouka shënoi me kokë dhe barazoi shifrat në 1-1, rezultat me të cilin u mbyll e gjithë ndeshja.

Me këtë barazim, Partizani mban vendin e parë me 38 pikë, po aq sa edhe Dinamo e vendit të dytë.

Fitore të madhe dhe shumë të rëndësishme mori Skënderbeu, që mposhti 2-1 skuadrën e Teutës me përmbysje në Korçë.

Durrsakët kaluan në avantazh me Llocin në minutën e 11-të, para se Bismark të barazonte shifrat në minutën e 38-të me penallti.

Korçarët mbetën me 10 lojtarë në minutën e 67-të, pasi sulmuesi Bismark u ndëshkua me të kuq, por vetëm 12 minuta më vonë, të njëjtin fat kishte edhe Karabeci, që la Teutën me 10 lojtarë.

I ardhur nga stoli, Ermir Rashica shënoi golin e përmbysjes dhe fitores për Skënderbeun në minutën e 80-të.

Sukses i rëndësishëm për bardhekuqtë, që mbeten në vendin e fundit, por i afrohen rivalëve me pikë. Korçarët kanë 19 pikë, 1 më pak se Laçi dhe 2 më pak se Tirana. Teuta mban vendin e shtatë me 23 pikë. /tvklan.al