Ngjarje të rëndë e konsideron Partia Demokratike vendimin e qeverisë për të rihapur kazinotë. Përmes një deklarate nga selia blu, sekretari për çështjet ligjore, Çlirim Gjata, deklaroi se kryeministri Edi Rama ka shkelur premtimin që u ka bërë shqiptarëve se nuk do të lejonte që lojërat e fatit të shkatërronin mijëra familje dhe jetë njerëzish.

“Në fshehtësi ai ka miratuar një VKM që i hap rrugë përsëri biznesit kriminal të lojërave të fatit në zemër të kryeqytetit. Pasi gënjeu se do ti mbyllte ato përfundimisht, ai po kërkon të përdorë dhe pastrojë paratë e krimit nëpërmjet kazinove dhe lojërave të fatit”, tha Gjata.

Sipas PD-së, gjatë qeverisjes së Ramës, nga 920 pika të lojërave të fatit ato u katërfishuan në 4200. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, vetëm në dy vjet, 2014 -2016, buxhetit të shtetit ju vodhën 375 milionë euro nga evazioni i lojërave të fatit.

“Dhe ja ku e nxori përsëri kokën. Akoma pa u tharë boja e vendimit për mbylljen e lojërave të fatit, ai i rihap ato, duke u tallur me dramën e atyre mijëra familjeve të cilat i mashtroi me premtimin e thyer se do ti jepte fund një plage të madhe sociale. Tani të gjithë e kanë të qartë se ortakëria e Edi Ramës me krimin e organizuar dhe paratë e pista është shumë më e fortë se çdo premtim që ju ka bërë qytetarëve. Kjo prerje në besë e atyre mijëra familjeve para të cilave u zotua, ky vendim kriminal duhet të hetohet menjëherë nga SPAK-u si rasti tipik i kapjes së shtetit”, tha Gjata.

Gati 2 vjet nga vendimi për të mbyllur të gjitha lojërat e fatit në vend, qeveria ka vendosur që të lejojë hapjen e kazinove vetëm në qendër të Tiranës.

Vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare që mban datën 2. Kazinotë do të lejohen në vetëm 6 akse të kryeqytetit, të cilat janë rruga e “Barrikadave”, rruga “Urani Pano”, rruga “Dedë Gjon Luli”, rruga “Ibrahim Rrugova”, rruga “George W. Bush” dhe bulevardi “Zhan D’Ark”.

Vendimi parashikon që për ngritjen e kazinove të krijohet një zonë e veçantë për zhvillimin e lojërave të fatit, ku lojtarëve do t’u ofrohet mundësia për të luajtur me makina të tipit slot, video-lotari ose makina elektronike, me shumë lojtarë, si dhe tryeza loje të quajtura “lojëra live”./tvklan.al