Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Sot paradite gjatë rrugës për në Samitin e Sarajevës mbrritën në Aeroportin e Rinasit Presidenti i Maqedonisë Gligorov, Ministri i Jashtëm Dimitrov si dhe Ministri i Jashtëm turk Ismail Cen. Për ti pritur personalitetet e larta, i pranishëm Presidenti Mejdani, Kryeministri Majko, ministrat Milo, Angjeli e Meksi. Në një nga ambjentet e aeroportit shqiptar përsonalitetet e larta të tre shteteve, zhvilluan një takim pune në fund të të cilit ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Turqisë, Maqedonisë dolën para gazetarëve.

Shqipëria nuk do të pranoj asnjë deklaratë të dalë nga Samiti i Sarajevës që do të lërë jashtë saj Kosovën, deklaroi Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Paskal Milo. Diplomati i lart shqiptar vlerësoi fillimet e Samitit si një ngjarje e rëndësishme për të ardhmen e Ballkanit.

Ministri i Jashtëm Turk Ismail Cen tha ndër të tjera se Pakti i Stabilitetit do të jetë një mbështetje e fuqishme e të gjitha vendeve të rajonit, si dhe shprehu sigurinë e tij që në këtë kuadër do të forcohen dhe zhvillohen edhe më tej marrdhëniet midis shteteve tona.

Ndërsa Ministri i Jashtëm i Maqedonisë Dimitrov, ndër të tjera tha se projektet që ne do të paraqisim në Samitin e Sarajevës, nuk do të jenë të rëndësishme vetëm për vendet e Ballkanit dhe të Europës Juglindore por të të gjithë Europës.

Rreth orës 12 e 40 delegacionët e Shqipërisë, Maqedonisë, Turqisë u nisën për në Bosnje, ku më 29 Korrik do të nis punimet Samiti i Sarajevës./tvklan.al