Kryeministri Edi Rama në takimin me kryebashkiakët, tha se ka nisur puna për referencat e reja në lidhje me rivlerësimin e pasurive.
Rama tha se procesi i rivlerësimit do të jetë i hapur për një vit. Kreu i qeverisë u shpreh se bashkitë duhet të ndërmarrin një proces komunikimi me banorët lidhur me këtë gjë.
Edi Rama: Edhe diçka tjetër që mos të mbetet pa thënë, lidhur me rivlerësimin. Procesi i rivlerësimit të pasurive, dua të jem i qartë se e kemi bërë këtë proces dy herë. Ky nuk është proces që mund të bëhet rregullisht sepse në thelb kjo është një amnisti, por kjo ka edhe një kosto të rëndësishme për buxhetin e shtetit, pasi në momentin që bëhet rivlerësimi shmanget tatimi 15% mbi shitjet në vijim. Megjithatë duke qenë se e para rivlerësimi është bërë bazuar në faktin që nuk ishin referencat e reja, sot me referencat e reja, mund t’ju japim absolutisht të drejtë qytetarëve që të kenë një shans të fundit për këtë dhe të konkludojmë punën e nisur për referencat e reja në qytetet e tjera dhe jo vetëm në Tiranë. Sepse sot minimalisht vija bregdetare nuk është me ato çmime reference që janë nga e shkuara.
Kështu që për këtë arsye, ne e kemi nisur punën për referencat e reja, do të konkludojmë besoj brenda 40-45 ditëve të ardhshme këtë, do të ndërtojmë një proces që rivlerësimi të jetë i hapur një vit, fundshtatori me fundshtatorin dhe ndërkohë duhet të jetë e qartë dhe diçka tjetër se rivlerësimi i parë është bërë me 1%, i dyti me 3% dhe i treti do të jetë me 5%.
Për këtë është e rëndësishme që të gjithë ju dhe posaçërisht bashkitë ku ka më shumë kërkesë të komunikojmë me qytetarët që kjo është e fundit, nuk do të ndodhi më. E rëndësishme të mos e lëmë këtë shans sepse duhet të kenë një barrë shumë të madhe kur do të bëjnë shitjet. Buxheti humbet një sasi të konsiderueshme, por na intereson formalizimi i pasurisë në territor dhe në fund të fundit edhe qytetarët që janë ata që i paguajnë taksat përfitojnë drejtpërdrejtë dhe kjo është dicka pozitive. Për këtë, ju lutem shumë, të ndërmerrni një proces komunikimi.
/tvklan.al