Ngërçi politik, i cili ka bllokuar përfundimin e procesit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duhet të zgjidhet nga vet deputetët, por prezenca e një roli aktiv të Presidentit të Kosovës, do të ishte ndihmesë për kapërcimin e situatës, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë. Sipas tyre, deri më tash, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka ushtruar një rol të tillë.
Albert Krasniqi, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se në mungesë të një konsensusi të subjekteve politike parlamentare, deri më tash, që të gjejnë një zgjidhje që do ta zhbllokonte situatën, përfshirja e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, do t’i kontribuonte shtendosjes së situatës.
“
Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend duhet të tregohen më të përgjegjshme karshi konstituimit të Kuvendit. Nëse një gjë e tillë nuk po arrihet të bëhet deri më tani, është obligim dhe detyrë e Presidentit, të cilit i përcaktohet edhe me Kushtetutë që të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve, që të ketë një rol më aktiv dhe të tentojë të gjejë një kompromis ndërmjet palëve
”.
Njohësi tjetër i zhvillimeve politike, Emrush Ujkani, thotë për Radion Evropa e Lirë se pushtet në Kosovë janë të ndara dhe legjislativi i vendit duhet ta zgjidhë vet situatën, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët, për të hapur rrugë krijimit të Qeverisë së re.
“V
etëm Kuvendi mund ta zgjidhë (situatën), në aspektin edhe kushtetues, problemin. Deputetët kanë mandatin e popullit dhe ata janë sovrani, sepse askush nuk mund t’i zëvendësojë ata në detyrë, për faktin se ata janë zgjedhur nga populli. Natyrisht që roli i Presidentit në këtë drejtim do të mund të ndihmonte, për do të ishte një rol më tepër për të shtendosur raportet ndërmjet partive politike. Por, assesi të ndikonte dhe nuk mund të ndikojë në punën e Kuvendit për të marrë kahe të njëanshme
”.
Por, analisti Krasniqi e konsideron të papranueshme që deri më tash nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e Presidentit të vendit, duke thënë se ai po qëndron indiferent karshi këtij procesi.
“
Eventualisht, (Presidenti) të kërkojë interpretimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatarin, për të nominuarin për kandidat për kryetar të Kuvendit, pasi që Presidenti ka caktuar datën për thirrjen e seancës konstituive dhe kjo datë e caktuar nga Presidenti, tani nuk po respektohet nga partitë politike. Kështu që në këtë kuptim, besoj që do të mund t’i kontribuonte daljes nga kriza aktuale politike ose nga bllokimi i konstituimit të Kuvendit dhe që eventualisht, që të mund të lehtësojë një dialog ndërmjet partive politike
”.
Analisti Ujkani thekson se roli i Presidenti nënkupton ruajtjen e unitetit të popullit. Por, sipas tij, një pjesë e opozitës së deridjeshme në vend e konteston pozitën e tij dhe rrjedhimisht edhe rolin eventual të tij gjetjen e një zgjidhje për të dalë nga kriza politike. Megjithatë, siç thotë ai, Presidenti i vendit duhet ta kryej obligimin e tij dhe t’i ftojë partitë politike për konsultime.
“
Është në mandatin e Presidentit që ai ta bëj një veprim të tillë, të iniciojë konsultime të tilla dhe kështu me radhë. Tani, a ka bërë sa duhet dhe a duhet të bëj më tepër? Përjashto faktin që një pjesë e opozitës e konteston figurën e zotit Thaçi si president, megjithatë, unë mendoj që ai duhet të bëj edhe më tepër përpjekje, me të cilat do ta ushtrojë funksionin e vet dhe në njëfarë forme të provojë që vendit t’ia japë një zgjidhje ose që partitë politike të binden që të mos e mbajnë peng vendin
”.
Kriza politike, e cila është produkt i mospërfundimit të procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, sipas njohësve të Kushtetutës së Kosovës, nuk ka ndonjë zgjidhje kushtetuese.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i gushtit të vitit 2014, i jep të drejtën subjektit politik apo koalicionit parazgjedhore , i cili merr numrin më të madh të ulëse në Kuvend, që ta propozojë kryetarin e legjislativit. Në rastin e tanishëm, propozimin duhet ta bëj koalicioni PAN, i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën. Deri më tash, koalicioni PAN nuk ka propozuar një kandidat për kryetar të Kuvendit./REL