Ngrihet një gjykatë speciale për këtë çështje
Autoritetet iraniane kanë vënë në pranga disa persona të lidhur me goditjen me raketa ndaj avionit ukrainas të pasagjerëve më 8 Janar në Teheran, një ngjarje që i mori jetën 176 civilëve të pafajshëm.
Zëdhënësi i prokurorisë në Teheran, Golamhosein Esmaili, njoftoi nisjen e një procesi të thellë hetimi për të zbardhur të gjitha detajet që çuan në këtë tragjedi, për të cilën autoritetet iraniane kanë deklaruar se goditja me raketa e avionit ishte një gabim.
Për këtë rast është ngritur një gjykatë speciale. Sipas Esmailit, hetimi do të përqendrohet tek fakti se sa ndikim pati gjendja e alarmit në të cilën ndodhej ushtria ndaj një sulmi të mundshëm të forcave amerikane, pas goditjes nga Irani me raketa të bazave të Shteteve të Bashkuara në Irak.
Autoritetet ushtarake iraniane pranuan se personi që komandonte sistemin e mbrojtjes raketore ajrore pranë aeroportit të Teheranit e kishte ngatërruar avionin me raketa, ose avionë ushtarakë amerikanë. Por hetimi pritet të zbardhë se si arriti ai në këtë përfundim dhe nëse kishte marrë të dhëna të rremë.
Presidenti iranian, Hasan Rohani tha se gabimi ishte fatal dhe se ngjarje të tilla nuk duhet të përsëriten. Ngjarja shkaktoi edhe protesta masive antiqeveritare në Teheran.
Tv Klan