32 pacientë në infektiv, 3 në terapi intensive
Pesë raste të reja me koronavirus janë identifikuar në 24 orët e fundit nëpërmjet analizave laboratorike të Institutit të Shëndetit Publik. Në total numri i të prekurve ka arritur në 64.
“Ju bëj me dije se, në 24 orët e fundit janë testuar 32 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar: Janë 5 raste të reja me COVID-19, 3 prej të cilëve shtetas italianë që ndodhen aktualisht në Shqipëri, një 80-vjeçar dhe një 42-vjeçar nga Kavaja”, tha drejtoresha e ISHP, Albana Fico.
Dy prej pacientëve të rinj të zbuluar se janë prekur nga COVID-19 kanë patur nevojë për ndihmë mjekësore të specializuar dhe për pasojë janë transportuar nga Kavaja në shërbimin infektiv në Tiranë.
“Në Spitalin Infektiv ndodhen 32 pacientë të shtruar. Tre pacientë janë në terapi intensive, por asnjëri prej tyre nuk është në respiracion të drejtuar. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente”.
Që prej zbulimit të rastit të parë me COVID-19 në 9 Mars, në vendin tonë dy persona kanë humbur jetën.
Tv Klan