Ekspertët: Abuzimet rëndojnë më shumë
Rritja e çmimeve në produktet bazë të shportës ushqimore në Shqipëri po ndikohet jo vetëm nga tregjet ndërkombëtare. Të dhënat e dala nga Zyra për mbrojtjen e konsumatorit për muajt Nëntor-Janar, tregojnë se 24 deri 30% e rritjes së çmimit vjen nga faktorë të brendshëm, përfshirë ato të natyrës spekulative të vetë tregtarëve. Kreu i kësaj zyre e cilëson ketë një fenomen abuziv.
“Po fillojmë me grurin dhe miellin. Çmimi mesatar ishte 46 Lekë/ kg në tetor sot është 56 lekë. Vaji ushqimor në tetor ishte me 154 Lekë/litër sot është 200 – 210 Lekë pra rritja nga 7% në tregun global këtu është rritur deri ne 27%. Mishi ishte në tetor me 800 Lekë sot është 1100 me 1100 Lekë, pra me 26%”, tha Hasan Stafa, kreu i Zyrës për Mbrojtjes së Konsumatorit.
Ekspertët thonë se ndikimin kryesor e ka pasur fuqia punëtore e pakësuar gjatë pandemisë, rritja e çmimit të energjisë dhe naftës apo edhe shtrenjtimi global i transporteve.
Eksperti i ekonomisë Adrian Civici, mes pasojave të krizës globale, ajo që mbetet problematike është tendenca e brendshme spekulative, pasi ul ndjeshëm fuqinë blerëse në vend.
“Meqë masa dërrmuese e këtyre produkteve që vjen nga jashtë vjen me një rritje çmime edhe tendenca e brendshme spekulative është barazimi i çmimeve. Kjo ndikon negativisht tek qytetaret sepse ul fuqinë blerëse dhe konsumimin e tyre. Ka edhe një element tjetër që lidhet me një çmim abuziv në sensin e përputhjes së sasisë së peshës dhe standardit me peshën. Kjo është një rritje indirekte e rritjes së çmimeve të këtyre produkteve. Shpeshherë edhe produkte të standardit të cilësisë së gradës së dytë dhe tretë shiten me çmime të cilësisë së parë dhe ndikimi te kosumatori është jo vetëm tek cilësisë por edhe cilësisë, sasisë dhe çmimit që ai e blen”.
Agjencia ndërkombëtare për Indeksin e Çmimeve të Produkteve Bujqësore raportoi për një rritje me 28 pëqind të çmimeve vitin e kaluar dhe paralajmëroi se nuk kishte vend për optimizëm që tregjet te stabilizoheshin edhe gjatë vitit 2022.
Tv Klan