Para fjalës së drejtorit të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku te komisioni për “TIMS”, nuk munguan debatet. Këto të fundit ‘vërtiteshin’ rreth mënyrës së zhvillimit të mbledhjes.

Pala e PS vuri theksin te dokumentet që përbëjnë sekret shtetëror, ndërsa opozitarët vijuan këmbënguljen për transparencë të plotë ndaj publikut.

Toni Gogu: Hileja dhe ti jeni të pandashëm! E fut komisionin në ca qorrsokake duke prodhuar paligjshmëri pas paligjshmërie. Ajo që i këkrohet drejtorit të policisë është kërkesa me shkrim. A qëndroni me kërkesën që informacioni ka përmbajtje sensitive?

Ervin Salianji: Bëj kërkesë proceduriale. Nuk drejtohesh ku do ti!

Toni Gogu: Një mikrofon ke dhe të heq fjalën, imagjino të kesh pushtet.  Sa viktima krijon ti… I nderuar zoti Drejtor, kemi ngecur sepse nuk po hidhet në votim kërkesa që keni bërë ju për ta vlerësuar që mbledhja të bëhet me dyer të mbyllura.

Ervin Salianji: Është detyrim, ju referova ligjit. Ju jeni mjeshtra të viktimizimit. Nuk besoj që Drejtori i policisë është në varësi të PS.

Rrumbullaku tha se në dokumentacionin që zotëron ka informacione konfidenciale.

Muhamet Rrumbullaku: Dua të mbështes deklaratën time në raport me atë që i jam drejtuar komisionit hetimor. Dy kolegët që kam në krah nuk kanë të bëjnë fare me procesin.

Ervin Salianji: Shoqërimi bëhet vetëm në rastin e një të zgjedhuri ligjor. Do të ishte shterruese nga ana juaj nëse mbledhja do bëhej publike.

Muhamet Rrumbullaku: Nëse prezenca e dy kolegëve të mi sipas legjislacionit konsiderohet e tepërt, mund të largohen. Dijenia ime për çështjen përbën sekret. Nëse komisioni vendos unanimisht që mbledhja të zhvillohet me dyer të hapura, do jap detajet për çfarë bën fjalë objekti i hetimit. Më keni vënë në dispozicion materiale të paklasifikuara, por unë kam shumë dokumentacion me vete. Ligji mbi informacionin sekret shtetëror përcakton 4 nivele të klasifikimit. I ndryshuar, i kufizuar pra sekreti policor, konfidencial dhe tepër sekret. Në të gjitha kërkohet pajisja me certefikatë sigurie. Jam i hapur t’u jap shpjegime për sistemin TIMS parimisht, në respekt të plotë të gjithkujt. Ka një sërë databazash në të cilat vendosni ju për të marrë informacionin e duhur. Unë nuk mund të shkel asnjë tagër.

E.D /tvklan.al