Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Çështja e formulës për zgjedhjen e anëtarit të 7-të KQZ, ka takuar së bashku në presidencë, kryetarët e dy grupeve më të mëdha parlamentare, socialistin Gramoz Ruçi dhe demokratin Bamir Topi. Për rreth një orë ata kanë diskutuar me presidentin Alfred Moisiu, mënyrën se si do të arrihet kompromisi, për zgjedhjen e anëtarit të 7-të, për të cilin komisioni dypalësh për reformën zgjedhore, nuk gjeti konsensus gjatë bisedimeve me OSBE-në.
Pas takimit, si zoti Ruçi dhe zoti Topi, nuk kanë dhënë detaje për formulën që është më e pranuara nga palët, por besonin se javën e ardhshme, do të arrihej në një zgjidhje konsensuale.
Gramoz Ruçi:- “Është konsulta e dytë që zhvillojmë më presidentin, besoj në javën që vjen, të dy kryetarët e grupeve, do të ulemi të bisedojmë me dëshirën dhe predispozicionin e mirë, për të arritur një konsensus, në vazhdën e asaj veprimtarie që komisioni bipartizan ka funksionuar për një problematikë mjaft të gjerë deri tani”.
Gazetarja:- Cila është formula më e pranueshme?
Gramoz Ruçi:- “Sigurisht nuk mund të japë një formulë sot, se është pjesë e negociatave që po zhvillojmë”.
Gazetarja:- Besoni se do të arrini një konsensus?
Gramoz Ruçi:- “Mendoj se predizpozicioni i të dy palëve është i tillë”.
Gazetarja:- Jeni dhe ju kaq optimist?
Bamir Topi:- “Unë mund të vërtetojë atë çka tha zoti Ruçi, për procesin e negociatave, negociatat janë në vazhdim, por predispozicioni është i dyanshëm, për ta realizuar”.
Palët sigurojnë se zgjidhja do të gjendet pa ndryshuar Kushtetutën, në mënyrë që KLD të zgjedh mes 4 kandidaturave të propozuara nga dy partitë politike, pasi të kenë marrë konsensusin e njëra-tjetrës. Ndërsa për 6 anëtarët e tjerë të KQZ, komisioni dypalësh për reformën zgjedhore ka vendosur, të jenë propozim të partive politike, që miratohen më pas, dy nga presidenti, dy nga parlamenti dhe dy të tjerët nga KLD./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço