Kryetari i Asamblesë Kombëtare të republikanëve shesh qëndrimin e kryeprokurores Rama për dosjen Mediu jo profesionale. Në një dalje publike zoti Godo ka kërkuar nga presidenti i republikës të shohë më vëmendje pozicionin e organit të akuzës në çështjen Gërdeci.

Sabri Godo: “Unë do t’i kërkoja presidentit Topi të rishikonte këtë veprimtari të fundit të prokurorisë në mënyrë që me të vërtetë të eci në këtë drejtim që ne të fillojmë të besojmë më ne fund se kemi një prokurori e cila i trajton çështjet së mbari.”

Godo nuk ka preferuar të japë shpjegime nëse pas prokurores së përgjithshme përfshihen interesa të segmenteve të caktuara të implikuara në tragjedinë e Gërdecit.

Sabri Godo: “Por pse të mos themi që zonja Rama vepron me iniciativën dhe lirinë e saj të plotë dhe të mos përfytyrojmë ndonjë figurë mbrapa saj. Sipas meje kemi të bëjmë ndoshta me një nxitje të dëshirës për të bërë gjëra të mëdha të prokurorisë, vuan dikush nga deliri i madhështisë.”

Këshilli i rregullores dhe i imuniteteve vendosën një ditë më parë se do të marrë një vendim për kërkesën e kryeprokurores për imunitetin e Mediut vetëm pasi të dëgjohet ish-ministri dhe Zoti Goda ka garantuar se Mediu do të jetë përpara këtij këshilli në kohë edhe pse prej ditës së djeshme ndodhet në SHBA për arsye të forta familjare.

Sabri Godo: “Duhet t’i bëhet një ndërhyrje e dytë të birit të tij, Fatmiri do të jetë këtu ditën që do të kërkohet nga Kuvendi.”

Kryetari i asamblesë republikane nuk ka lënë jashtë komenteve të tij dhe marrëdhëniet me demokratët. Sipas tij këto marrëdhënie po dëmtohen nga segmente brenda selisë blu, këtë zoti Godo e lidh me shkarkimin e disa përfaqësuesve republikanë në nivel drejtorësh në rrethe të ndryshëm të vendit./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka