Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Kryetari i PD Sali Berisha prezantoi në qytetin e Krujës kandidatin Përparim Hoxha dhe atë të Fushë Krujës Ismet Mavriqin. Me pretendentët demokratë për kryetar bashkish, Partia Demokratike kërkon të nxjerrë në opozitë socialistët, pasi dënimi i shqiptarëve tepër i rëndë cilësohet korrupsioni.
Në fjalën e tij, kryetari i PD Berisha u premtoi qytetarëve të Krujës dhe Fushë Krujës, rikonstruksionin e shkollave dhe përsosjen e shërbimit të qytetarëve. Në vizionin e demokratëve për pushtetin vendor, Kruja dhe Fushë Kruja do të jenë një nga qendrat kryesorë të zhvilluara pranë kryeqytetit. Berisha ka përmendur në fjalën e tij edhe akuza ndaj Ministrit të Bujqësisë Agron Duka.
Sali Berisha:- “Shqiptarët para vitit 99, kanë pasur një armik të betuar dhe të njerëzimit dhe ky quhej Millosheviç, kurse sot ka një armik të egër, armik i Shqipërisë dhe i njerëzimit, korrupsioni i qeveritarëve shqiptarë. Ministri i Bujqësisë Agron Duka, importon pa doganë ushqimet që mbeten në hangarët e Europës dhe të botës dhe kalb në fushë prodhimet tuaja”.
2/3 e taksave dhe mbi 50% e fondeve të tenderave vidhen dhe shpërdorohen nga qeveritarët socialistë, shprehet Berisha, e nga dita në ditë shtohet papunësia dhe emigrantët në Itali e Greqi, ndaj kryedemokrati u ka kërkuar votën qytetarëve, për ndryshimin në 12 Tetor./tvklan.al