Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu është zotuar të refuzojë çdo sanksion ndaj ushtrisë së vendit pas raportimeve se SHBA po planifikon të shkurtojë ndihmën ushtarake.

“Do ta luftoj me të gjitha forcat”, tha kryeministri të dielën.

Më herët, sipas raportimeve të faqes “Axios”, SHBA do të synojë batalionin izraelit Netzah Yehuda për dyshimet se ka shkelur të drejtat e njeriut në Bregun Perëndimor. BBC shkruan se çdo lëvizje do të vinte nën një ndalim të SHBA-së për ndihmën ndaj njësive të huaja të implikuara në mënyrë të besueshme në shkelje.

Kur u pyet javën e kaluar në lidhje me raportet se ndihma ushtarake e SHBA-së për njësitë e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit mund të ndërpritet për akuzat për abuzime të të drejtave të njeriut në Bregun Perëndimor të pushtuar, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken tha: Ne kemi marrë disa vendime, do i shikoni në ditët në vijim.

Aletati kryesor i Izraelit, Uashingtoni nuk e ka pezulluar kurrë ndihmën për njësitë e Forcave Ushtarake të Izraelit. Nga ana tjetër, ushtria izraelite deklaroi se batalioni Netzah Yehuda ka vepruar në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, i ka bërë thirrje SHBA-së që të tërhiqet nga synimi i saj për të sanksionuar Netzah Yehuda, duke thënë se bota po vëzhgonte më nga afër lidhjet midis SHBA-së dhe Izraelit se kurrë./tvklan.al