Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rikonfirmuar mbështetjen e fuqishme të integritetit territorial të Kosovës. Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates gjatë vizitës së parë në Prishtinë si zyrtari më i lartë i SHBA-ve që ka vizituar vendin, pas shpalljes së pavarësisë, ka deklaruar se ndarja e Kosovës nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje për Kosovën. Pas takimit me presidentin Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e Forcës së Sigurisë Femi Mujota, sekretari Gates ka garantuar ata se SHBA-të mbështesin integritetin territorial të Kosovës.

Robert Gates: “Unë do të them se nuk besoj që ndarja është zgjidhje për Kosovën, as tash as në të ardhmen SHBA-të përkrahin integritetin territorial të Kosovës.”

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Gates ka siguruar kosovarët në vazhdimin e misionit të KFOR-it në Kosovë i dhe ka rikonfirmuar mbështetjen për forcën e sigurisë së Kosovës.

Robert Gates: “Unë e përsërita zotonim e presidentit Bush për qytetarët e këtij rajoni dhe për partnerët tanë të NATO-s se ne kemi ardhur së bashku dhe së bashku do të largohemi. Ajo në të cilën ne jemi të fokusuar fillimisht është ofrimi i shërbimeve për trajnimin e forcës së sigurisë së Kosovës.”

Ai ka falënderuar trupat amerikane të KFOR-it që shërbejnë në Kosovë, duke thënë se për shkak të përkushtimit dhe profesionalizmit të trupave amerikane KFOR-i mbetet institucioni më i besueshëm në Kosovë.

Nga ana tjetër liderët kosovarë kanë falënderuar sekretarin Gates për kontributin e vazhdueshëm amerikan për Kosovën.

Fatmir Sejdiu: “Për ne është shumë me rëndësi të theksojmë edhe me këtë rast mbështetjen e fuqishme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin Kosovës, në përkushtimet e saja të një periudhe të gjatë kohore dhe në përkushtimet e deritanishme në përkushtimet e Kosovës demokratike e të gjithë qytetarëve.”

Hashim Thaçi: “Ne informuam sekretarin për angazhimet që kemi si institucionet e republikës së Kosovës për implementimin e dokumentit të presidentit Ahtisari.”

Pas vizitës në Kosovë sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Gates, ka udhëtuar në Maqedoni ku do të marrë pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të rajonit./tvklan.al