Sekuestrimi në kohë i pronave të debitorëve është një pikë e nxehtë mes sistemit gjyqësor dhe atij bankar.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, i ka bërë apel gjyqësorit për një paanësi, efikasitet në gjykim dhe shpejtësi në zbatimin e vendimit.

Më i dukshëm ky problem sipas guvernatorit Fullani është ekzekutimi i kolateralit për pasuritë e paluajtshme.

Ardian Fullani: “Roli i pavarur i gjykatës, perceptimi i tij, efikasiteti i gjykimit dhe zbatimi i vendimit të gjykatës janë tipare themelorë dhe formimi i të cilave ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e sistemit financiar. E vetmja gjë që Banka e Shqipërisë në nivelin bankar ndjehen të pafuqishëm ka të bëjë me mosekzekutimin me kolateral dhe pamundësisë de fakto të disponimit të kolateralit, sidomos kur bëhet fjalë për një kolateral në formën e pasurisë së paluajtshme.”

Në kushtet e një situate të trazuar në financat globale ekzekutimi në kohë i kolateralit është një kërkesë imediate, ndërkaq ligjbërësit shqiptarë janë duke diskutuar në komisionet kuvendore një draft ligjor mbi garancitë pronësore të debitorëve të bankave.

Edhe grupimet e biznesit kërkojnë përshpejtimin e këtij procesi pasi rritja me mbi 30% e kredive me probleme në harkun kohor të 1 viti konsiderohet mjaft shqetësuese./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro