Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasuritë e Sokrat Carit, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2022, por që më parë ka qenë i dënuar për moskallëzim krimi, falsifikim dokumentesh dhe prodhim e shitje të lëndëve narkotike.
Sipas hetimeve, rezulton se Cari dhe familjarët e tij nuk kanë pasur burime financiare për krijimin e pasurive që zotëronin deri në vitin 2005.
“Kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik, çka vërteton se kjo pasuri është vënë si rezultat i veprimtarisë kriminale”, njoftoi prokuroria.
“Prokuroria vlerësoi se kjo pasuri e luajtshme dyshohet se është fituar nga personi i dënuar Sokrat Cari, si rezultat i përfshirjes së tij në aktivitetin e prodhim dhe shitje narkotikësh. Shtetasi në fjalë në vitin 2007 është shpallur fajtor për veprën penale ‘Falsifikim të dokumenteve’ ndërsa në 2011, u deklarua fajtor nga gjykata e Tiranës për Veprat Penale ‘Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike’ dhe ‘Moskallëzim krimi’ për të cilin ka marrë edhe dënimin përkatës”, shtoi prokuroria.
Për këtë arsye prokuroria sekuestroi:
1.Pasurinë e paluajtshme, godinë banimi dhe shërbimi 3 kate me papafingo, zk 8250, sipërfaqe ndërtimi 156.2 m2, sipërfaqe totale 388.6 m2, numri i kateve 4, Rruga “Besim Imami”, vila nr.34;
2. Pasurinë e paluajtshme, e llojit “Njësi”, Nr.5/605/ND-N15, vol 21, fq 159, ZK 8250, Sip 95.1m2, Rruga “Zhan D’Ark”, godina 10, kati përdhe, Tiranë; dhe
3. Automjetin kamionçinë, blerë sipas Deklaratës Doganore 21.03.2005./tvklan.al