Prokurori Kledian Llaho, njëkohësisht drejtuesi i Prokurorisë së Sarandës, është pezulluar nga detyra me kërkesë të SPAK. Vendimin e mori Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më 14 Janar.

Llaho dyshohet për kryerjen e veprës penale “korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Nga hetimet rezultoi se Llaho dyshohet se ka kryer veprime me natyrë korruptive. Sipas SPAK, ai ka kërkuar përfitime të parregullta materiale nga të cilat do të përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë vjehrri i tij, një shtetas me iniciale V.Gj. Po ashtu ka dyshime për veprime të kundraligjshme edhe në raport me persona të tjerë, sipas Prokurorisë së Posaçme.

“Në cilësinë e prokurorit të çështjes penale, nr. 774/2021 dhe asaj me nr.720/2024, dyshohet se ka abuzuar me funksionin e tij”, sqaron më tej SPAK.

Llaho e mori drejtimin e Prokurorisë së Sarandës në 31 Janar të vitit 2023 pas vendimit nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Ai e ka nisur karrierën e tij në vitin 2004 si Oficer i Policisë Gjyqësore, ndërsa në 2014 është bërë prokuror në Vlorë. Pas punës në Sarandë si prokuror, ai u caktua në Janar të dy viteve më parë si drejtues i Prokurorisë atje. Ai kaloi Shkallën e Parë të Vettingut, por rasti i tij është ankimuar në Komisionin e Posaçëm të Apelimit.

NJOFTIMI I SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rregjistruar procedimin penal nr.73 të vitit 2024 për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.

Më dt.6 Janar 2025 është bërë regjistrimi i emrit të personit nën hetim, magjistratit K.Ll, me detyrë prokuror dhe njëkohësisht drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë”, parashikuar nga nga neni 319/ç i Kodit Penal.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.3, dt. 14.01.2025 ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit personal “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, në ngarkim të personit nën hetim, K.Ll.

Nga analiza e veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij procedimi penal, në mënyrë të përmbledhur, ka rezultuar se:

Personi nën hetim, magjistrati, K.Ll dyshohet se ka kryer veprime me natyrë korruptive, duke kërkuar përftime të parregullta materiale, nga të cilat do të përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë vjehrri i tij, shtetasi. V.GJ, si dhe ka dyshime për veprime të kundraligjshme edhe në raport me persona të tjerë. Magjistrati K.Ll, në cilësinë e prokurorit të çështjes penale, nr 774/2021 dhe asaj me nr.720/2024, dyshohet se ka abuzuar me funksionin e tij.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë. 

/tvklan.al