Nezihat Stërmasi gruaja e ikonës së futbollit Selman Stërmasi ka qenë në një intervistë për moderatoren Mirela Milori në emisionin “Hisoria ime” ku u kthye shumë pas në kohë dhe ka folur për lidhjen e tyre, martesën, familjen dhe gjërat që kanë kaluar së bashku në jetë.

Mirela Milori: Kur u njohe me sportin ti, apo pasi u njohe me Selmanin.

Nezihat Stërmasi: Isha me vëllezërit, ata ishin shumë tifozë. Isha e fejuar dhe shkoja në sport në Stadium. Shkoja me vëllezërit, Selmani luante në fushë dhe unë bëja tifo për të dhe bërtisja. Edhe kur u martuam shkoja në stadium, isha e para. Kur shkoja në stadium, pastaj të gjithë shkonin në rrobaqepsi të bënin rrobat si unë. Unë kisha rrobaqëpësen time, ishte një jugosllave.

Mirela Milori: Si ishte martesa me një sportist në atë kohë. Ai ishte një djalë i bukur, e shikonin të gjithë edhe vajzat, a ishe xheloze?

Nezihat Stërmasi: Nuk isha xheloze sepse ai çmendej pas meje. Ai edhe kur kishte shokë për darkë më vendoste mua në krye të tavolinës. Vinte më pyeste a u lodhe dhe kur i thoja po, më merrte dhe më fuste brenda. Kemi shkuar shumë mirë me njëri-tjetrin. Vajza i ka ngjarë shumë për gjithçka. Shtëpia jonë ka qenë e hapur për të gjithë. Vinin shumë familje, ishin shumë të mirë por shumë fanatikë dhe kur bëheshe ndonjë drekë apo darkë, uleshin vetëm burrat, gratë jo, kurse unë i mblidhja dhe burrat bashkë.

Mirela Milori: Si ia prishe mendjen atij që e bërë yllin e Tironës të të donte vetëm ty?

Nezihat Stërmasi: Ku di unë, ai më donte shumë. Thoshte kur dal në rrugë nuk shoh femër si ti, i thoja mos fol budallalliqe se të gjitha femrat njësoj janë. Më thoshte jo nuk janë njësoj se ti di t’i presësh njerëzit, di t’i nderosh, t’i llafosësh. Edhe unë e kam dashur shumë sepse ishte për të dashur. U plaka tani sepse dreq kam qenë.

Mirela Milori: (Qesh) Po pse ke qenë dreq?

Nezihat Stërmasi: Isha tifoze e madhe dhe kur vinin gazëtarët nuk shkonin tek ata që duhet të shkonin por vinin tek unë. Bëni shuplakat gati i thoja se kur të bëj unë kështu do bëni dhe ju. /tvklan.al