Sëmundjet kronike po kërcënojnë realisht shëndetin publik, ky alarm u dha  nga drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, gjatë konferencës mbarëkombëtare për shëndetin publik.

Drejtori i ISHP-së u shpreh se personat e prekur nga sëmundjet kronike po vijnë gjithnjë e në rritje, ndërsa janë ulur ndjeshëm prekshmëria nga sëmundjet infektive.

Alban Ylli: “Do theksoja që sëmundjet kronike në Shqipëri janë vrasësi më i madh i shqiptarëve. Ndërkohë që sëmundjet infektive janë duke u pakësuar, faktor risku të rëndësishëm kemi identifikuar duhanpirjen, obezitetin, sidentarizmin, konsumin e alkoolit, menaxhimin e stresit, dhunën. Sëmundjet kronike që vrasin më shumë shqiptarë janë sëmundjet kardiovaskulare, një në dy shqiptarë vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare. Kanceret janë një faktor tjetër i rëndësishëm, traumat, sëmundjet respiratore obstruktive të mushkërive.”

E pranishme në këtë konferencë të rëndësishme ku u fol edhe për arritjet e shëndetit publik në vitet e fundit ishte edhe ministrja e Shëndetësisë Anila Godo.

Anila Godo: “Programet e edukimit dhe ndërgjegjësimit shëndetësor do të fokusohen tek të rinjtë dhe fëmijët dhe do të synojnë frenimin e sjelljeve të rrezikshme, duhani, alkooli, drogat, ushqyerja e gabuar, inaktiviteti fizik, dhuna etj. Ndërkohë që do të fuqizohen kapacitetet lidhur me kapjen e hershme dhe këshillimin pranë kujdesit parësor për sëmundje si kardiovaskularet, kanceret, neurozat, me programe të përcaktuara mirë kombëtare.”

Duke u ndalur në arritjet e shëndetësisë shqiptare gjatë 4 viteve të fundit ministrja Godo përmendi modernizimin e sistemit dhe legjislacionit, mbulesën vaksinave, promocionin e shëndetit, kontrollin e ujit të pijshëm dhe ajrit./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami