Servet Pëllumbi, një prej figurave më të njohura të Partisë Socialiste, mendon se socialistët duhet të bëjnë jetë aktive parlamentare dhe të mos vijojnë marrëdhëniet e kushtëzuara me këtë institucion.

Pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të socialistëve dhe pasi ka konsumuar një bisedë disa minutëshe me kryesocialistin, Pëllumbi deklarohet kundër vendimit të marrë për të shkuar në Parlament me kohë të pjesshme, vetëm për të kërkuar hapjen e kutive.

Servet Pëllumbi: “Protestat për opozitën janë të domosdoshme. Kryefjala ime ishte që bojkoti deri ani le ta quajmë që e ka kryer misionin e vet dhe këtej e tutje, Partia Socialiste në parlament do të mbajë një qëndrim   shumë më aktiv dhe nëpërmjet luftës parlamentare do të tregojë se ku qëndrojnë problemet e demokracisë shqiptare.”

Edi Rama: “Për sa kohë parlamenti shqiptar nuk funksionon si një institucion demokratik, për sa kohë parlamenti nuk udhëhiqet në veprimet e tij nga kushtetuta, nga ligji apo dhe nga vetë rregullorja, partia Socialiste nuk ka asnjë punë tjetër në parlament përveç çështjes së transparencës që vjen vetëm përmes hapjes së kutive.”

Gramoz Ruçi: “Grupi parlamentar i Partisë Socialiste te Shqipërisë do të shfrytëzojë çdo hapësirë procedurale që lejon që ne të ngremë ngritjen e kauzës sonë për transparencën e zgjedhjeve dhe ngritjen e komisionit hetimor. Ashtu sikurse, do të kërkojmë që në mënyrë demokratike të krijohen hapësira plus për ngritjen dhe mbrojtjen e kësaj kauze për transparencën e zgjedhjeve.”

E në fakt, Asambleja e socialistëve, ashtu siç vendosi dhe grupi parlamentar pak ditë më parë, zyrtarizoi qëndrimin për rifillimin e protestave popullore, të cilat priten të nisin prej javës së ardhshme dhe për të përfunduar më 30 prill në një protestë të madhe në kryeqytet.

Edhe kjo mbledhje, si të gjitha mbledhjet e formave të PS zhvilluara pas humbjes në zgjedhjet e përgjithshme, nuk ka kaluar pa debate.

Jo të pakta kanë qenë zërat kundër qëndrimit për të pasur marrëdhënie të kushtëzuara në Kuvend.

Asambleja e socialistëve ka vendosur gjithashtu që më 18 prill të thërrasë kongresin për të diskutuar për situatën politike, por dhe për të miratuar ndryshe në statutin e partisë./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka