Konfirmohet rasti i parë i vdekjes si pasojë e gripit të derrave në Kosovë. Bëhet fjalë për një 31-vjeçar nga Baica e Drenasit.

“Shenjat e para të sëmundjes, në mesin e të cilave edhe temperatura e ngritur mbi 38 gradë celsius, tek i ndjeri janë paraqitur me ta 25 Tetori 2009, ndërsa ndihma e parë mjekësore nga ai është kërkuar tek mjeku familjar në Drenas më 8 Nëntor 2009. I ndjeri është hospitalizuar në klinikën infektive më datë 12 Nëntor në orët e mesditës.”

Mirëpo viktima duket se është paraqitur tek mjeku me shumë vonesë pasi nga gripi ishte prekur qysh më 25 Tetor.

“Pacienti kur është pranuar në klinikën tonë ka qenë një gjendje shumë e rëndë. Me 12 kur është pranuar, pastaj me 13 i kemi parë mundësitë që kemi pas ato me terapi me Tamiflu, dhe terapi shtesë që ka pas”.

Epidemiologët apelojnë tek qytetarët që nëse vërejnë shenja të gripit të zakonshëm të paraqiten menjëherë tek mjeku më i afërt pasi të ngjashme janë edhe simptomat e gripit të derrave.

“Për 15 ditë nuk ka kërkuar ndihmë mjekësore. Kjo ka sjellë që të ndërlikohet situata me shëndetin e tij dhe fatkeqësisht ka përfunduar sot fatalisht.”

Megjithëkëtë zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë apelojnë tek qytetarët që të mos bëjnë panik, meqë sipas tyre kjo ministri po i zbaton të gjitha masat e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë./tvklan.al