Dy persona janë plagosur me armë zjarri pas një konflikti me disa të tjerë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 në Cërrik në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Yllit”.
Të plagosurit janë dy të rinj me iniciale G.K. 20 vjeç dhe J.R. 22 vjeç. I pari ka marrë një plumb në këmbë, ndërsa shoku i tij është qëlluar në dorë. Të dy ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
Policia thotë se autori është identifikuar me inicialet B.H. Ky i fundit udhëtonte me makinë dhe kur ka parë 20-vjeçari G.K., zbriti nga mjeti dhe nisi të debatonte me të për shkak të një konflikti të hershëm që kishte. Në sherr u përfshi dhe i plagosuri i dytë, si dhe dy miqtë e autorit me të cilin udhëtonin në makinë.
Gjatë konfliktit, i dyshuari me iniciale B.H. qëlloi me armë duke i plagosur lehtë. Policia ka shoqëruar Angjelo Zhelegu, i cili është personi që drejtonte makinën me të cilën udhëtonte autori i plagosjes. Sipas uniformave blu, Zhelegu largoi nga vendngjarja të dyshuarin dhe bashkëpunëtorin e tij me iniciale I.F. Të dy janë shpallur në kërkim.
/tvklan.al