Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Komisionerët parlamentar për fajdet, i kanë spostuar debatet dhe grindjet e tyre në zyrat ku punojnë administratorët për ish-firmat piramidale. Gjatë punimeve të këtij komisioni në kryesi, një pjesë e deputetëve kanë kërkuar ndjekje penale për Farudin Arapin, pasi pretendohet se është penguar puna, për dhënien e materialeve shkresore për ekspertët.

Por nënkryetari i komisionit Limoz Dizdari ka kërkuar të verifikohet kjo gjë nga afër dhe kështu deputetët kanë shkuar së bashku tek zyrat e administratorëve, ku kanë vazhduar debatet. Disa nga deputetët kanë parë të arsyeshëm, pretendimin e administratorëve për faktin se duhen disa ditë kohë, për të kthyer përgjigje për çdo dosje të kërkuar. Ndërsa deputetët e djathtë janë larguar nga zyrat e tyre, me kërkesën që Arapi të sqarojë sërish para komisionit në Kryesinë e Kuvendit.

Bashkim Fino:- “Është çështje dokumentacioni, sepse plani hetimor ka mbërritur në datën 6 Qershor, ditën e premte pasdite tek ekspertët, sot është e hënë, sot fillohet nga puna”.

Ndërkohë një nga administratorët ka shpjeguar veprimet e bëra nga ana e tyre, menjëherë pas marrjes në dorë të planit të hetimit.

Administratorja:- “Unë flas me shkresa zyrtare, me datën 6 Qershor 2003 është marr plani i hetimit zyrtarisht dhe në bazë të kërkesave që kanë bërë deputetët për kompaninë në fjalë që unë drejtojë, unë jam përgjigjur përsëri zyrtarisht, zotit Imami dhe zotit Bashkim Fino, që dokumentet që ata kërkojnë, do t’u vihen në dispozicion me marrjen e planit hetimor të miratuar dhe të fillojë puna menjëherë”.

Ndërsa kryetari i këshillit mbikëqyrës Farudin Arapi është larguar pa bërë komente për sherrin me komisionerët, në zyrat e administratorëve. Gjatë mbledhjes së fundit të komisionit parlamentar për fajdet është marrë në shqyrtim dhe një kërkesë e deputetit Preç Zogaj, ku kërkohej hetim për Prokurorinë e Përgjithshme në lidhje me disa procedime me ish-firmën piramidale Gjallica.

Preç Zogaj:- “As një organ në Shqipëri, nuk mund të privohet nga hetimi parlamentar. Hetimi parlamentar ka specifikat e veta, nuk ka të pahetueshëm edhe prokuroria hetohet nga parlamenti, sepse prokurori i përgjithshëm miratohet në parlament”.

Kryetari i komisionit Imami, ka hedhur në votim amendamentin e paraqitur nga deputeti Zogaj dhe me shumicën e votave të deputetëve është vendosur që komisioni hetimor, të mos hetojë për prokurorinë./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj