Shitja e bizhuterive të dyshuara të kontrabanduara ka bërë që një 50-vjeçare me iniciale D.B. në Tiranë të procedohet penalisht në gjendje të lirë, ndërsa djali i saj I.B. 28 vjeç të shpallet në kërkim.
Sektori i Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës kreu kontrolle në një dyqan në rrugën “Muhamet Gjollesha” dhe në një tjetër dyqan në një qendër tregtare në rrugën Tiranë-Durrës. Në këto subjekte, policia gjeti aksesorë argjendi për të cilat nuk disponoheshin fatura doganore e tatimore dhe të ardhurat e përfituara nga shitja e tyre, fshiheshin nga dy autorët e dyshuar.
Aksesorët e argjendit me peshë 9830 gram, u sekuestruan nga policia.
Në lidhje me këtë hetim, nënë e bir akuzohen për “Fshehja e të ardhurave”, ”Kontrabanda me mallra të tjerë” dhe ”Tregtimi dhe transporti i mallrave që janë kontrabandë”.
/tvklan.al