Tiranë- Operacioni policor  “Cleaner” ka çuar në pranga dy persona. Ermal Demushi dhe Emirjon Doçi, në bashkëpunim me njëri -tjetrin në zonën e “21 Dhjetorit”, shisnin lëndë narkotike të dyshuar si “Heroinë” me doza.

Gjatë kontrollit, Emirjon Doçit ju gjetën 22 doza heroinë, ndërsa Ermal Demushit një dozë me heroinë si dhe 140 mijë Lekë të reja të dyshuara si të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.

Kontrolli ka vijuar në dyqanin e Demushit, ku mbi bazën e informacioneve dyshohej se kishte armë zjarri, dhe  nga kontrolli i kryer, iu gjetën një sasi tjetër  lënde narkotike e llojit Heroinë, 1 peshore elektronike, një dozë kanabis,  5 kapsolla detonatore me fitil, 1 armë zjarri pistoletë me mulli, 1 armë zjarri pistoletë e markës Zastava, 12 fishekë, 1 fitil zjarr përcjellës si dhe 1 sasi e vogël lënde eksplozive.

Gjithashtu, po gjatë kontrollit të automjetit Demushi, në bagazhin e saj,  iu gjet një pushkë sportive me dylbi.

“Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar : 60 doza lëndë e dyshuar narkotike e llojit “Heroinë“ dhe një dozë  “Cannabis Sattiva”- një peshore elektronike – 1 armë pistoletë me mulli- 1 arme zjarri pistoletë Zastava – 12  fishekë-  5 kapsolla detonatore me fitil – 1  fitil zjarr përcjellës – një  sasi e vogël  lënde eksplozive – 1pushkë sportive me dylbi – 140 mijë lekë të reja – 1  automjet në pronësi të shtetasit Ermal Demushi si dhe  5 aparat telefoni celular”.

Materialet procedurale u referuan  Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprat penale  “Prodhimi dhe shitje lëndëve narkotike në bashkëpunim” dhe  “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”, “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

/tvklan.al