Lajme Arkiva 2003

Të paktën 4 përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe një mjek ligjor psikiatër u shkarkuan nga detyra për shkelje të ligjit duke lënë të lirë një të dënuar me burgim të përjetshëm.

Pak ditë pas arrestimit në Berat të Aleksandër Kuqos ai u lirua nga qelia ende pa u paraqitur për masën e policisë në gjykatë. Pasi prokurorët dhe gjyqtarët e çështjes u bazuan në një ekspertizë mjeko-ligjore sipas të cilës ishte i sëmur mendor.

Të parët u shkarkuan kreu i prokurorisë së Fierit Ilirian Muho dhe prokurori i Beratit Albano Leka , ndërsa prokurori Aleksandër Tanku u ul një vit në detyrë.

Ndërsa mbrëmë në orët e pasdites Këshilli i Lartë i Drejtësisë në drejtimin e Presidentit të Republikës Alfred Moisiu shkarkoi kryetarin e gjykatës së Fierit Ilir Dushi ndërkohë që gjyqtari tjetër Dritan Devole mësohet të ketë dhënë dorëheqjen.

Përgjegjës u gjetën për këtë rast edhe mjekët psikiatër të cilët kanë bërë ekspertizën e Kuqos, i cili është shpallur sërish në kërkim nga policia. Eksperti psikiatër ligjor Gëzim Myftari u shkarkua nga detyra ndërsa u paralajmëruan mjekët Suzana Lika dhe Ermira Kurti.

Ministria e Drejtësisë ka deklaruar se nuk përjashtohet mundësia që për këtë rast të nisë një procedim penal nga prokuroria, por kjo e fundit deri më tani nuk ka marrë ndonjë denoncim nga Ministria e Drejtësisë.

Aleksandër Kuqo është dënuar nga Ministria e Drejtësisë për vrasje, shfrytëzim prostitucioni, dhe mbajtje të municioneve luftarake pa leje. Gjykata e Fierit e konvertoi dënimin e Kuqos nga burg i përjetshëm në 23 vite heqje lirie./tvklan.al