Shkodra pati një rritje të menjëhershme të numrit të të prekurve nga virusi, gjë e cila çoi edhe në shkarkimin e prefektit, për mos marrjen e mesave të duhura.
Përtej ditëve të fundjavës, në qytet asgjë nuk ka ndryshuar. Njerëzit thonë se i mbështesin masat e qeverisë, por sërish dalin në rrugë për shëtitje. Masat e marra në këtë qytet, për shumëkënd kanë prapavija politike.
Një pjesë shijojnë diellin në parkun përballë Bashkisë, ndërsa disa të tjerë bëjnë xhiro në pedonale. Lirimi nga disa prej kushteve të vëna, duket se po shfrytëzohet në maksimum. Edhe bizneset, pjesërisht vazhdojnë aktivitetin.
Megjithëse e shndërruar në një vatër infeksioni, ku rreziku vijon të jetë ende shumë i madh, shkodranët duket sikur e kanë fituar luftën me Coronavirusin. As ndryshimi i prefektit, as gjobat, as masat e vëna nga qeveria, nuk i ndalon qytetarët e kryeqendrës së veriut të dalin, qoftë në këmbë apo me biçikleta.
Kryetarja e bashkisë mendon se vatra nuk është në rrugë, por në institucionet ku ka grumbullime, që nuk janë as në varësi të bashkisë.
Ndërsa tejzgjatja e afateve të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, mund të mos përballohet nga ana e pushtetit vendor dhe jo vetëm në Shkodër, por në rang republike.
Një tjetër çështje e ndjeshme është edhe ajo e bizneseve apo e shpërndarjes së ndihmave. Kryetarja e Bashkisë Shkodër ka bërë një propozim që të gjitha bizneset të mos paguajnë taksën vendore, propozim i cili pritet të miratohet. Ndërsa për ndihmat, Shkodra është një qark mjaft i madh e me terren të thyer, por as kjo nuk i ka penguar, sipas saj, që pakot të shkojnë në çdo familje në nevojë.
Deri më tani Shkodra numëron 100 të infektuar me COVID-19, por për Voltana Ademin, mund të jenë edhe më shumë, pasi ka mungesë të theksuar të numrit të testeve dhe një papërgjegjshmëri nga ana e institucioneve shëndetësore.
Klan Plus