Rritja ekonomike e Shqipërisë në një kohë kur e gjithë bota është në krizë, vazhdon të befasojë ekspertët financiarë.

Një studim i forumit rajonal ekonomik të Evropës Juglindore i cituar nga agjencia e lajmeve Reuters dhe revista Forbes thotë se të gjitha vendet e Ballkanit do të kenë një rimëkëmbje të vonë nga kriza ekonomike përveç, Shqipërisë e cila njeh rritje ekonomike këtë vit dhe do të njohë në shifra më të larta edhe vitin tjetër.

Vendeve të  tjera të Ballkanit do t’u duhet shumë punë për të dalë nga zeroja. Raporti vlerëson se ekonomia Shqiptare është e vetmja që ka pësuar rritje në kohë krize dhe ka tërhequr një fluks të qëndrueshëm investimesh të huaja.

Studimi në fjalë ka përmbledhur parashikimet ekonomike të agjencive ndërkombëtare financiare që thonë se vendi ynë dhe Sllovenia janë të vetmet vende që, pas rënies së komunizmit, kanë pësuar një rritje ekonomike deri në 60%. Për pjesën tjetër të Ballkanit, thuhet në studim, do të duhet shumë që të arrije këtë nivel.

Ekspertët vlerësojnë se çelësi i daljes nga kriza ekonomike për këto vende është bashkëpunimi rajonl. Në këtë kontekst Shqipëria po bashkëpunon me Bullgarinë, Bosnjën dhe Malin e Zi në infrastrukturë dhe projekte të mëdha energjetike.

Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë është edhe në fokus të agjencive të pasurive të patundshme, Property abroad shkruan se reformat e mëdha, investimet në infrastrukturë dhe rritja e mirëqenies ekonomike do të bëjë të mundur që Shqipëria të jetë pjesë e BE brenda një kohe të shkurtër.

Agjencia shkruan se një integrim në BE, mund të ndodhë deri në vitin 2014 apo 2015. Sipas saj, projekti i madh që lidh Kosovën me Shqipërinë, autostrada Durrës-Kukës, do të ketë fuqinë të rrisë ekonominë shqiptare për shumë vite që do të vijnë./tvklan.al