Një tjetër i rast me grip derri është zbuluar në vendin tonë, çka e çon në 30 numrin e personave të infektuar nga virusi i rrezikshëm.
Bëhet fjale për një grua 52-vjeçare, analizat e së cilës u kryen në laboratorin e Bukureshtit në Rumani ku konfirmuan se ajo ishte bartëse e gripit AH1N1.
Duke komentuar zhvillimet mbi përhapjen e virusit, drejtues të Institutit te Shëndetit Publik folën sot dhe për mundësinë e shtyrjes së datës së hapjes së shkollave në vend.
Silva Bino: “Moti i ngrohtë, mungesa e shkollave, mungesa e grumbullimeve, konvikteve e tjera ka sjellë që pandemia të mos jetë e përhapur siç ka ndodhur në disa vende të tjera. Por natyrisht me hapjen e shkollave duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm që të shikojmë se mos kemi shpërthime epidemike dhe përhapje të mëtejshme. Duhet të kemi parasysh që është një sëmundje që përhapet disi më shpejt se sa gripi i zakonshëm, se në fund të fundit flasim për grip si grip i zakonshëm dhe në këtë mënyrë konsiderohet periudha që vjen më pas e cila konsiderohet me ftohjen e motit, me hapjen e shkollave, konvikteve e tjera, konsiderohet si një mundësi për përhapjen e mëtejshme”.
Për 9 raste të tjera të dyshuara, ISHP pret analizat nga Bukureshti. Sipas Buletinit epidemiologjik të publikuar nga ky institut, numri më i madh i rasteve të prekura nga gripi janë ato të moshave fëminore ndërsa më pak të prekur ato të moshës mbi 45-vjeç.
Raporti përmend gjithashtu se nuk ka ende një shpërthim epidemik të infeksioneve respiratore apo sëmundjeve të ngjashme me gripin, por theksohet se edhe në vendet ku ka patur shpërthime epidemike si edhe një numër të madh rastesh nga gripi nuk vihet re kapërcimi i pragut epidemik./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani