Për herë të parë Prishtina u bë mikpritësja e takimit të përbashkët mes dy kuvendeve, Shqipëri-Kosovë.
Koordinimi i axhendës kombëtare bëri bashkë 130 deputetë, përfshi Presidenten Vjosa Osmani, si dhe Kryeministrat Rama e Kurti. Në dukje marrëdhëniet e krerëve të dy qeverive janë jo në ditët më të mira, por komunikimi nuk mungoi, madje edhe me mesazhe nëpërmjet letrave, si kjo që i dërgoi kryeministri Rama, Kurtit.
I rikthyer pas 10 vitesh në të njëjtën foltore, Prishtinas i dha një këshillë.
“Dëshira ime është që të mos jemi njëri në tryezën e negociatave për anëtarësim në BE, kurse tjetri në listën e sanksioneve të BE. Ne duhet të jemi dorë për dore, paqedashës dhe paqeruajtës. Për të bindur dora dorës edhe skeptikët më të mëdhenj në BE, për absurditetin e rezervave të tyre ndaj njohjes së Kosovës si shtet sovran. Dhe në sytë e tyre, barra e faji për degradimin e dialogut europian të normalizimit duhet t’i bjerë e gjitha vetëm Serbisë. Por kurrsesi nuk duhet të lejojmë që qoftë edhe një gramë t’i bjerë Kosovës”.
BE-në e ftoi të heqë sanksionet, ndërsa Kurtit të ngrijë pa afat dialogun me Serbinë e ta kërkojë reciprocitetin me Brukselin.
“Kosova e uli në gjunjë Serbinë 25 vjet më parë dhe sot 25 vjet më vonë duhet ta lerë në bisht Serbinë. Kosova duhet ta ngrijë, ta ftohë, pa afat dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior duhet ta synojë përmes dialogut biletaral me BE. Duke këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke lidhur kërthizën e reciprocitetit europianist me BE.”
Klasës politike të Kosovës i propozoi hartimin e një rezolute për ngritjen e një komisioni verifikimi për të hetuar standardin gjykimit në Hagë ndaj 4 udhëheqësve të UÇK-së.
“Nëse Kuvendi i Kosovës, kurdoqoftë, do ta ndërmerrte nismën për t’i dërguar të gjitha shteteve sponsorizuese të gjykatës speciale dhe për të ndarë me ta dyshimin e arsyeshëm për cenimin e standardeve demokratike në procesin ligjor kundër Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe nëse do të na kërkohej që një nisme të tillë t’i bashkohet dhe Kuvendi i Shqipërisë, unë nuk flas dot për të tjerët përveç për forcën time politike, PS do të angazhohej pa asnjë ngurrim, që të njëjtën rezolutë të votuar nga Parlamenti i Kosovës ta depozitonte në Kuvendin e Shqipërisë”.
Albin Kurti nuk reagoi për këtë kërkesë të Kryeministrit Rama, por kërkoi mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Ne besojmë se Shqipërinë e kemi krah përpjekjeve tona për të tejkaluar pengesat politike ndaj anëtarësimit të Republikës së Kosovës në këtë organizatë”.
Një përgjigje e pati edhe për sulmet e fundit në veri të Kosovës.
“Terrorizmi i paralimitarëve të orkestruar e të financuar nga Serbia është shprehje e pafuqisë së tyre. Dikur nuk kanë bërë akte terroriste sepse e kishin krejt në kontroll. Tash e kanë humbur kontrollin, bëjnë akte terroriste. Por ky është fundi i tyre”.
Në seancën e përbashkët përshëndetën presidentja Osmani edhe krerët e dy parlamenteve.
“Një Shqipëri më e fortë do të thotë një Kosovë edhe më e fortë. Një Kosovë më e suksesshme e ngre edhe më lart Shqipërinë”, u shpreh Presidentja Osmani.
“E falenderojmë Republikën e Shqipërisë që ka qenë e zëshme për mbrojtjen e interesave të Kosovës, për mbrojtjen e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha Konjufca.
“Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë. Shqipëria është prioritet kombëtar i Kosovës”, tha Spiropali.
Parlamenteve iu drejtuan edhe deputete të tjerë. Dhe sikundër në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, opozitat në dy anët e kufirit s’u kursyen në akuza ndaj dy kryeministrave Rama e Kurti.
Tv Klan