Shqipëria po shfaqet në turizmin ndërkombëtar si “Karaibet e Evropës” dhe po konsolidohet në hartën turistike të Kontinentit të Vjetër, kështu shkruan revisa kolumbiane “El Tiempo”.

Shumë ekspertë të udhëtimeve i kanë i krahasuar plazhet e saj me kartolinat idilike me ujëra të pastra kristal me pamje nga Republika Domenikane, Kuba apo Meksika.

Në artikull shkruhet se është relativisht më lirë se sa të vizitosh vendet e tjera në Evropë. Dhe se mijëra vizitorë nga e gjithë bota vijnë për të zbuluar plazhet e saj të ëndrrave. Nëse udhëtoni nga Kolumbia, nuk keni nevojë për vizë të veçantë për të hyrë në Shqipëri, nevojitet vetëm një leje për të qëndruar në vend për 90 ditë.

Në shkrim rekomandohet se koha më e mirë për të vizituar Shqipërinë, është midis Majit dhe Shtatorit, qoftë për të zbuluar historinë përmes mbetjeve arkeologjike të qytetit antik të Apolonisë, apo Butrintit apo për të pushuar në një nga plazhet e Rivierës Shqiptare.

Një nga pikat më të spikatura është Ksamili me plazhet e bukura dhe tre ishujt. Edhe plazhi i Dhërmiut shquhet si një nga destinacionet më të njohura në Rivierën Shqiptare, me ujërat blu, ideale jo vetëm për qetësi, por edhe për aktivitete ujore. Gjithashtu, Tirana, kryeqyteti, paraqet një larmi atraksionesh turistike. Pika e nisjes për ta eksploruar mund të jetë Sheshi Skënderbej, zemra e qytetit, nga ku mund të vizitoni Muzeun Historik Kombëtar dhe lagjen shumëngjyrëshe të Bllokut, i famshëm për jetën e tij të natës.

Por nuk duhet harruar dhe Berati, “qyteti i një mbi një dritareve”. Është një nga qytetet më të vjetra në Shqipëri, i njohur edhe nga UNESCO për arkitekturën e tij unike. Për adhuruesit e ecjes dhe natyrës, një tjetër pikë kryesore është Parku Kombëtar i Llogorasë, me pamje panoramike të detit Jon dhe Rivierës mahnitëse Shqiptare.

Për periudhën Janar – Shtator 2024, janë regjistruar rreth 9,7 milionë vizitorë.

Klan News