Nënshkruhet në Bruksel Dokumenti i Partneritetit me Bashkimin Europian në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes. Nga ky partneritet do të përfitojë qytetarët si në BE ashtu edhe në Shqipëri duke promovuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë.
Kryeministri Rama tha se po bëhet gjithnjë e më shumë evidente lidhja e pandalshme e Shqipërisë me BE-në për më shumë siguri dhe paqe për qytetarët tanë.
“U zgjuam me një ndjesi të këndshme se tashmë kemi hapur një tjetër grupkapitujsh. Kështu që është një moment shumë i mire. Ndihemi të privilegjuar sepse kemi kaluar një rrugë të gjatë dhe dini çfarë do të thotë të lindësh dhe të rritesh në një diktaturë, pastaj të luftosh për lirinë dhe më pas të luftosh për të ndërtuar demokracinë dhe zhvilluar shoqërinë. Kjo marrëveshje është e rëndësishme sepse është një shenjë tjetër që lidhja jonë është e pandashme dhe që duhet të bëjmë më të mirën për ta forcuar çdo ditë e më shumë. Dua të shpreh falenderimet e mia për Bashkimin Europian, për të gjithë ata, që në emër të Bashkimit Europian po punojnë për të shtyrë përpara këtë agjendë të ribashkimit të plotë të Europës.”
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas tha se Shqipëria do të bëhet nga sot pjesë e diskutimeve për sigurinë dhe mbrojtjen e Europës.
“Kjo marrëveshje tregon se ne do të bëjmë më shumë së bashku. Tregon qartë investim në sigurinë tonë të përbashkët. Tregon që Shqipëria do të jetë pjesë e të gjitha këtyre tavolinave të rëndësishme kudo të diskutojmë për sigurinë dhe mbrojtjen e Europës. Na lejon gjithashtu të zgjerojmë bashkëpunimin tonë, si në Europë, ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm në procesin e anëtarësimit. Jam e lumtur që do të diskutojmë këtë dhe më tej në takimet e ditës së sotme. Kështu që mirësevini dhe mezi pres për bashkëpunimin tonë të ardhshëm.”
Në Korrik të këtij viti BE i akordoi 13 milionë Euro mbështetje Forcave të Armatosura Shqiptare në kuadër të Fondit Evropian të Paqes. Ky vendim pasqyron vlerësimin e BE-së për përafrimin e plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit, e cila është një shprehje shumë e qartë e zgjedhjes strategjike të Shqipërisë për një të ardhme brenda BE-së.
Klan News