Thonë se dashuria nuk njeh moshë, e ndoshta ky mund të jetë rasti i këtij 31-vjeçari shqiptar, i cili duket se e kishte të vështirë të hiqte dorë nga ish-partnerja shumë vite më e madhe në moshë.
Kështu, një i ri në Genova të Italisë ka përfunduar në pranga, për përndjekje të vazhdueshme ndaj një gruaje 58-vjeçare italiane.
Sipas mediave fqinje, ata kishin jetuar një periudhë sëbashku, por shqiptari ishte i dhunshëm, ndaj dhe gruaja i kishte dhënë fund lidhjes.
Por kjo nuk e ndaloi të riun që ta përndiqte gruan në mënyrë të vazhdueshme, madje edhe duke e kërcënuar. 31-vjeçari, për të cilin mediat italiane nuk japin emër, e ndiqte gruan kudo, duke i shkuar poshtë shtëpisë e në punë, duke e detyrar atë që të ndryshonte banesë dhe aktivitetet e përditshme.
Episodi i fundit ndodhi mëngjesin e së premtes, kur për të disatën herë, ai u shfaq jashtë shtëpisë së saj të re, duke ulëritur e duke e kërcënuar gruan se do t’i thyente portën.
58-vjeçarja, e cila vetëm pak ditë më parë e kishte denoncuar shqiptarin, njoftoi menjëherë policinë. Kjo e fundit ndërhyri duke arrestuar të riun.
/tvklan.al