49-vjeçari shqiptar Avni Meçja ka rrëfyer vrasjen e bashkëshortes së tij rumune, Alexandra Elena Mocanune. Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën në apartamentin ku jetonin, në Bolzano. Pasi i mori jetën bashkëshortes 35-vjeçare, shqiptari e mbuloi trupin e saj dhe u arratis. Mediat italiane shkruajnë se ai u arrestua mbrëmjen e së hënës në aeroportin e Veronës, sapo zbriti nga një avion që ishte nisur nga Shqipëria. Policia po e priste. Meçja kishte vendosur të vetëdorëzohej, me gjasë pasi u bind nga prindërit e tij për ta bërë një gjë të tillë. Po sipas mediave fqinje, gruaja ishte transferuar nga Verona në Trentino, për t’i shpëtuar bashkëshortit të dhunshëm, të cilin e kishte denoncuar dy vjet më parë. Më pas ishin afruar sërish dhe ai kishte bashkuar në Bolzano, aty ku dhe ndodhi tragjedia. Alexandra u dhunuar për vdekje me një objekt të mprehtë, i cili nuk është gjetur ende.
Arratia e shqiptarit: Arratia e vrasësit të dyshuar nisi pikërisht nga Verona. Avni Meçja u largua nga apartamenti me makinën e bashkëshortes së tij për të mbërritur në Verona e nga aty në aeroportin e Treviso-s. Mori avionin dhe u nis drejt Shqipërisë. Por përpara se të arratisej telefonoi vëllain duke i thënë se duhej të zhdukej pasi ishte në kërkim. Pikërisht nga kjo telefonatë u vu në lëvizje drejtësia. Vëllai dyshoi menjëherë se diçka e rëndë kishte ndodhur dhe telefonoi forcat e rendit, që gjetën trupin e pajetë të gruas me origjinë nga Rumania, e cila punonte si bariste. Trupi i saj u gjet pasditen e së dielës.
Rikthimi në Itali dhe rrëfimi: Të hënën, me gjasë pasi u bind nga prindërit, shqiptari mori sërish avionin dhe u rikthye në Itali. Në aeroportin e Veronës po e prinin efektivët e policisë të cilët e shoqëruan në Bolzano, ku në fund rrëfeu krimin. Tashmë 49-vjeçari ndodhet në burg. Mediat fqinje shkruajnë se Meçja doli nga prokuroria e Bolzanos rreth orës 03:00 të natës. Ai dyshohet se e vrau gruan gjatë natës të së shtunës pas sherrit të radhës. Ajo ishte kthyer në shtëpi rreth orës 20:00, pasi kishte mbaruar punën.
Vrasja, çfarë ndodhi: Atë që ndodhi mbrëmjen e së shtunës rreth orës 21:30 të 22 Tetorit në Bolzano, në apartamentin numër 82 që ndodhej në katin e pestë, mund ta rrëfejë vetëm Meçja. Orari sugjerohet nga disa dëshmi të fqinjëve që dëgjuan grindjen mes çiftit. Gjatë natës, pasi vrau gruan, 49-vjeçari dyshohet se organizoi arratinë drejt Shqipërisë. Mëngjesin e së dielës u largua nga Bolzano me makinën Ford Focus të Alexandra Elena, duke iu drejtuar aeroportit të Trevizos.
Mes Avniut dhe Alexandra Elena sherret nuk ishin diçka e re. Në 2019-n dhe 2020-n, kur jetonin ende në Verona, gruaja e kishte denoncuar për keqtrajtim dhe ai ishte vendosur në arrest shtëpie dhe iu ishte ndaluar që t’i afrohej gruas.
Megjithatë disa kohë me vonë, ata ishin afruar sërish. Alexandra Elena lë pas një djalë, i lindur nga një tjetër marrëdhënie, e që jeton në Romë me gjyshen e tij./tvklan.al