Lajme Arkiva 2003

Shtatë ditë pas atentatit ndaj Gani Malushit dhe Gjovalin Ndreut në Durrës policia nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e Agim Pepës. Ajo që dihet me siguri  është se policia ka humbur gjurmët e vrasësit që në vendngjarje. Nuk është arritur të sigurohet asnjë e dhënë e sigurt në lidhje me drejtimin nga lëvizi Pepë me automatik në krahë nga asnjë dëshmitarë okularë, të shumtë këta në vendngjarje. Blind Forcat Speciale u drejtuan fillimisht drejt Spitallës ku banonte familja e Agim Pepës. Mbi 30 persona të njohur dhe familjarë të vrasësit shoqërohen në drejtori.

Këtu është dhënë e dhëna e parë se Pepa është parë në kodër Arapaj. Komplet efektivat në ndjekje nisen drejt disa fshatrave. Të gatshëm edhe dy helikopterë policie të cilët mund të ndërhynin në terren malor. Komplet aksioni rezulton një blof pasi informacioni që Pepa ishte parë në Arpaj ishte thjesht një taktikë për të humbur gjurmët.

Ndërkohë që Gani Malushi po jepte shpirt në Spitalin Ushtarak të dështuar ne kërkimet në terren policia tenton të zbardhë vendndodhjen apo lidhjet që ndihmojnë Pepën nëpërmjet familjes së tij.

Lirohen pas disa orësh në komisariat nëna vëllai, nusja dhe motra e Agim Pepës. Familja niset për në Mirditë në fshatrat e vendlindjes dhe te të afër e tjerë atje. Agjentë policor ndjekin lëvizjet e Prena Pepës e cila kalonte në disa zona malore ku makina s’ka lëvizur kurrë, ndërsa helikopterët nuk kanë as vendqëndrimi. Pas tre ditësh që vëmendja e policisë përqendrohet në Veri të vendit, policia konstaton sërish se gjurmët e vrasësit të Malushti nuk gjenden askund. Me qëllim apo jo lëvizjet e Prena Pepës rezultojnë se kanë tërhequr policinë në drejtime larg personit.

7 ditë pas krimit, zyrtarisht policia pret ende informacion kundrejt të cilit jepet një shumë prej 25 milionë Lekësh. Ndërsa agim Pepa përveç veprimeve taktike që e çojnë policinë gjithmonë në drejtime të gabuara, duket se ka dhe informacione të sakta për t’ju shmangur operacioneve blu./tvklan.al