Tetëmbëdhjetë vjet më parë, Kwon Young-doo u transferua në fshatin Bukchon Hanok në Seul. Nga pasioni për historinë e këtij fshati, por edhe shtëpive të bukura tradicionale ai vendosi të hapte një galeri arti private.

Por kohët e fundit, Kwon është i shqetësuar për biznesin e tij. Kjo për shkak të një politike të re të propozuar nga autoritetet e Koresë së Jugut për të përballuar fluksin turistik.

Autoritetet planifikojnë vendosjen e një shtetrrethimi që synon uljen e numrit të turistëve në lagjen e tij të dashur me shtëpitë e veçanta.

Me një periudhë prove që fillon në nëntor dhe nis zyrtarisht në mars të vitit të ardhshëm, shtetrrethimi do të kufizojë aksesin e turistëve në zona të caktuara të Bukchon nga ora 5 pasdite deri në 10 të mëngjesit.

Ata që do të shkelin këtë masë do të përballen me gjoba deri në 100,000 won ose 72 dollarë .

Pronari i galerisë së artit është kundër këtij vendimi.

“Kush do të dëshironte të vizitonte fshatin? Ata do të largohen me një përshtypje të keqe për Korenë e Jugut . Kjo do të ndikonte negativisht edhe në produktet tona.”

Për të ky propozim është i papranueshëm dhe i padëgjuar më parë.

“Po dëmet në bujtina apo në muzeume? A kanë vetëm banorët të drejta? A nuk jemi banorë të Koresë së Jugut? Çfarë do të ndodhë me këta njerëz? A kanë ata ndonjë zgjidhje? Nuk kam dëgjuar kurrë ndonjë zgjidhje të tillë më parë”.

Fshati Bukchon Hanok, është një zonë me rrugica të ngushta dredha-dredha.

Dikur shërbeu si lagje banimi për autoritetet e rangut të lartë dhe fisnikërinë gjatë epokës së dinastisë Joseon, të cilët sunduan Korenë nga vitet 1300 deri në 1910. Sot, fshati është populluar dhe është bërë një pikë e njohur turistike që tërheq vizitorë mijëra banorë.

Tanimë zona është bërë një destinacion popullor turistik, veçanërisht pasi u bë pjesë e një shfaqje televizive një dekadë më parë.

Por fluksi i turistëve ka acaruar marrëdhëniet mes banorëve dhe vizitorëve. Shumë vendas raportojnë probleme me zhurmën, mbeturinat dhe shkeljen e privatësisë, pasi disa turistë përpiqen të hyjnë në shtëpi private ose të shikojnë brenda pa leje.

Turistët shpeshherë shkelin kufijtë e hapësirës personale duke irrituar banorët.

“Shumë njerëz vijnë dhe përpiqen të shtyjnë derën duke kapur dorezën e derës, ose bëjnë zhurma të ndryshme në dritare, bëjnë foto ose bëjnë veprime të tjera që na shqetësojnë. Është mjaft stresuese”, thotë një banor.

“Njerëzit vijnë vetëm për një ditë për t’u kënaqur, dhe zhurma nga festat është jashtëzakonisht e madhe. Ka gjithashtu shumë plehra në lagje, kështu që më duhet të pastroj para shtëpisë time disa herë”, shprehet një tjetër.

Ky transformim nga një zonë e qetë rezidenciale në një qendër turistike plot lëvizje ka bërë që shumë banorë të ndjejnë se lagja e tyre ka humbur hijeshinë dhe qetësinë.

“Shpesh është e vështirë të mbash një rutinë normale të përditshme për shkak të shqetësimeve si psh turistët që tërheqin valixhet gjatë orëve të para të mëngjesit , gjë që shpesh më zgjon nga gjumi”, shton një tjetër.

Rreth 6 milionë njerëz e vizituan fshatin vitin e kaluar, ndërsa popullsia aktuale është afërsisht 6,100.

Shumë banorë kanë zgjedhur të largohen, duke çuar në një rënie prej 27.6% të popullsisë së fshatit gjatë dhjetë viteve të fundit.

Chung Moon-hun, kryebashkiaku i Jongno në të cilën përfshihet edhe fshati, thotë se qëllimi i vendosjes së një shtetrrethimi është të mbrohen të drejtat e banorëve dhe  kjo masë do të ndryshohet nëse është e nevojshme .

“Ne po përpiqemi të bëjmë që turistët të vijnë në mënyrë me të kontrolluar dhe të mos shkaktojnë shqetësime të mëdha për banorët. Kjo është hera e parë që ne po zbatojmë një politikë të tillë kështu që ne do të punojmë me banorët për të bërë rregullime te tjera nëse është e nevojshme.”

Por banorët janë skeptikë në lidhje me efektivitetin e kësaj politike. Krijimi i një shtetrrethimi ka ndarë në qëndrime turistët. Disa prej tyre vlerësojnë qëllimin e masave të reja, duke kuptuar nevojën për të mbrojtur të drejtat e banorëve dhe për të ruajtur atmosferën e qetë të fshatit.

“Po, jam plotësisht dakord me këtë . Nëse turistët tregohen të pasjellshëm dhe mosrespektues ndaj banorëve që jetojnë këtu, kjo nuk duhet të lejohet dhe duhet të ketë mbrojtje në mënyrë që të ruhet paqja dhe shëndeti i tyre.”

Megjithatë, të tjerët janë të frustruar nga ideja për t’u gjobitur vetëm sepse ata po eksplorojnë një zone publike.

“Koreja e Jugut është një vend me liri të lëvizjes, ndaj kontrollimi i kësaj me gjoba është një masë e tepruar. Do të ishte më mirë të përsoset kultura turistike përmes orientimit”.

Përpjekjet e autoriteteve koreano-jugore  për të trajtuar problemin e turizmit masiv nxjerrin në pah një çështje globale me të cilën përballen shumë destinacione historike dhe kulturore të njohura.

Ndërsa numri i turistëve rritet, komunitetet lokale shpesh ndeshen me problemet e  ruajtjes së identitetit të tyre kulturor, cilësisë së jetës dhe infrastrukturës.

Për industrinë globale të udhëtimit, politika e shtetrrethimit të  këtij fshati mund të shërbejë si një rast studimor për menaxhimin e turizmit në një mënyrë që respekton komunitetet lokale.

Ndërsa destinacionet si ky fshat i njohur korean përballen me efektet e turizmit masiv, vende të tjera mund të marrin në konsideratë miratimin e politikave të ngjashme.

Ky evolucion në politikat turistike shënon një zhvendosje drejt udhëtimit të ndërgjegjshëm që inkurajon turistët të marrin në konsideratë ndikimin e vizitave të tyre në komunitetet lokale dhe promovon respektin për trashëgiminë kulturore.

Klan News