Koreja e Jugut po shqyrton vendimin për të dërguar armë në Ukrainë. Kjo lëvizje vjen pas lajmeve se Koreja e Veriut ka nisur trupa ushtarake në ndihmë të Rusisë në luftën me Kievin. Agjencia e spiunazhit të Koresë së Jugut deklaroi javën e kaluar se Koreja e Veriut kishte dërguar 1,500 ushtarë në Rusi për stërvitje në bazat ushtarake lokale.
Një zyrtar i lartë në zyrën e presidentit Yoon Suk Yeol tha për agjencinë e lajmeve Reuters se Seuli po merr masa diplomatike, ekonomike dhe ushtarake për t’ju përgjigjur bashkëpunimit ushtarak midis Penianit dhe Moskës.
Koreja e Jugut thirri ambasadorin rus, duke kërkuar tërheqjen e menjëhershme të trupave të Koresë së Veriut pasi kjo cenon sigurinë kombëtare. Kjo e fundit është akuzuar prej kohësh për furnizim me armë Rusisë për përdorim në luftën kundër Ukrainës.
Moska dhe Peniani kanë rritur bashkëpunimin pasi udhëheqësit e tyre Vladimir Putin dhe Kim Jong Un nënshkruan një pakt sigurie në qershor, i cili zotohet se vendet e tyre do të ndihmojnë njëri-tjetrin në rast të “agresionit” kundër secilit prej vendeve.
Klan News