Shtyhet për të disatën herë seanca paraprake për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe personat e tjerë të akuzuar për dosjen e “Sterilizimit”.

Siç raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci, shkak u bë mungesa e njërit prej avokatëve.

Mësohet se ish-ministri ishte i pranishëm në seancë ku u shfaq tepër i irrituar duke nisur të kundërshtojë veprimet e SPAK.

Aktet e sjella në gjykim përmbajnë të pavërteta”, pretendoi ish-zyrtari nën akuzë për “shpërdorim detyre”. Ai kërkoi të bënte një deklaratë për aktet procedurale që lidhen me hetimin tjetër të dosjes SASPAC. Trupa gjykuese ndërhyri duke i kujtuar Beqajt se janë ende në fazën e legjitimimit të palëve dhe do t’i jepet mundësia për t’u shprehur në një moment tjetër.

Reagimi i tij vjen dy ditë pasi në një banesë të pretenduar prej tij se e ka marrë me qira në Vlorë, është ushtruar kontroll nga hetuesit e Byrosë Kombëtare.

Seanca ku gjykata do të shprehet nëse dosja kalon për gjykim ose jo u shty për në datën 12 Shtator.

/tvklan.al